Buzëqeshje dhe duartrokitje nga ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, ndërsa Shqipëria nis një epokë të re, me një sistem drejtësie të reformuar sipas standardeve Europiane.
Reforma në drejtësi cilësohet si reforma më e rëndësishme e Shqipërisë në këto 25 vite pluralizëm politik, ndërsa për Bashkimin Europian ishte kushti bazik për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe avancimin e projektit europiane të vendit.
21 korriku ishte përcaktuar nga SHBA-BE dhe mazhoranca si momenti vendimtar për miratimin e reformës në drejtësi. Mirëpo, negociatat e gjata si rrjedhojë e klimës së mosbesimit mes palëve dhe kërkesat e njëpasnjëshme të opozitës në përpjekje për të zvarritur reformën, bëjnë që kjo reformë të mbajë datën e miratimit 22 korrikun.
Reforma u votua ekzaktësisht në orën 00:46 minuta të 22 korrikut me vendim unanim të Kuvendit të Shqipërisë, pasi pro paketës së ndryshimeve Kushtetuese shkuan 140 vota, aq sa ka anëtarë Kuvendi.
Konsensusi për reformën u arrit në mesditë, kur mazhoranca dhe opozita pranuan propozimin e ri të ambasadorëve Lu e Vlahutin, për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP.
Sipas draftit të ri, për zgjedhjet e anëtarëve të KLGJ dhe KLP është vendosur një formulë hibride. Nga 11 anëtarë të KLGJ, 6 i zgjedh trupa e gjykatësve, ndërsa 5 zgjidhen nga Kuvendi.
Formula për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe KLP parashikon vettingun përmes ONM të gjithë anëtarëve të KLGJ dhe KLP, gjithashtu parashikon edhe hedhjen e shortit në rast se gjatë dy raundeve të para të votimit, Parlamenti nuk i zgjedh dot anëtarët e këtyre dy trupave.
Kujtojmë që PD ishte kundër opsionit të shortit, por pas 6 orë negociatash të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në kryesinë e Kuvendit, kryetari demokrat, Lulzim Basha ka pranuar këtë propozim, duke i hapur rrugë miratimit të reformës në Kuvend pas pak minutash.
Por në Komision Ad Hoc, lista prej 5 anëtarësh miratohet me konsensusin e opozitës. Ka dy raunde votimi. Kandidaturat janë të lira dhe nuk propozohen nga Dhoma e Avokatise, Noterisë, tij.
Zhvillimet minutë pas minute nga diskutimet e reformës në drejtësi
Ora 02:15 Johannes Hahn: Reforma, hap në rrugën e integrimit në BE
Komisioneri Johannes Hahn ka mirëpritur dhe përshëndetur miratimin me konsensus unanim nga Kuvendi të Reformës në Drejtësi, ndërsa ka shtuar se “Reforma është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian”.
Johannes Hahn, zyrtarja e DASH, Victoria Nuland dhe ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë ishin negociatorët kryesorë që ndikuan te palët politike për gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ora 01:40 BE: Miratimi i reformës, moment kyç për anëtarësimin e Shqipërisë
"Sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese të cilat përbëjnë dispozitat për një reformë të thellë dhe tërësore në gjyqësor.
Përgëzojmë popullin shqiptar, udhëheqësit e tyre dhe të gjitha forcat politike të cilat treguan pjekuri dhe përgjegjësi në marrjen e këtij vendimi historik.
Ky hap i paprecendent adreson një kërkesë të vjetër nga shumica dërrmuese e qytetarëve për një drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Ai përbën gjithashtu një kontribut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha këto janë përparësi kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllimin që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem drejtësie që bazohet fort në standardet evropiane".
Ora 01:25 OSBE mirëpret marrëveshjen për reformën në drejtësi
"Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret miratimin nga Kuvendi të paketës së ndryshimeve kushtetuese, që synojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. Ne e përgëzojmë Kuvendin për këtë arritje thelbësore, e cila u mbështet qartë nga shumë ekspertë dhe diplomatë ndërkombëtarë.
Kjo është një arritje e rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara sot tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor. Reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit.
Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Prezenca e OSBE-së ka qenë një kontribuese dhe partnere e përkushtuar e procesit të reformës dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen e saj aktive, në të gjitha nivelet".
Ora 01:12 Fleckenstein: Zbatimi i reformës nuk do jetë i lehtë
Eurodeputeti gjerman në PE, Knut Fleckenstein ka përshëndetur miratimin e Reformës në Drejtësi nga Kuvendi, ndërsa ka kërkuar që të zbatohet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Knut Fleckenstein shprehet: “Reforma gjyqësore është miratuar nga parlamenti shqiptar.
Faleminderit të gjithë atyre që kanë punuar për ligjet dhe ndryshimet kushtetuese. Faleminderit për kryeministrin, për kryetarin e parlamentit dhe kreun e opozitës.
Faleminderit për ambasadorët e SHBA dhe BE dhe ekspertët e tyre. Zbatimi i reformës nuk do jetë i lehtë, por me ndihmën e ndërkombëtareve është i mundshëm.
Do t’i bëj thirrje Këshillit Evropian për të vendosur për të hapur negociatat për Shqipërinë. Një hap më tej për Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian”shprehet Knut Fleckenstein".
Ora 01:02 Rama: U kry! Plotësuam dëshirën e 93% të shqiptarëve
"U KRY! Shume faleminderit te gjitheve! U plotesua deshira e 93% te shqiiptareve qe e donin kete reforme #Rilindje #KrenarPerPS Naten e mire", shkruan Rama në Twitter.
Ora 00:55 Deklaratë nga Ambasadori i SHBA Donald Lu
"Miratimi i reformës në drejtësi, mbi të gjitha, është një fitore për popullin shqiptar. Përkushtimi juaj e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik. Përgëzoj parlamentin për gjetjen e konsensusit nën trysni jashtëzakonisht të madhe. Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete të reforme fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, e cila tani është shumë më e fortë".
Ora 00:50 Basha: Konsensusi, ogur i mirë për Shqipërinë
Kryetari i PD, Lulzim Basha pas miratimit të Reformës në Drejtësi është shprehur se miratimi me konsensus i reformës në drejtësi është një ogur i mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
"Paketa kushtetuese kaloi me votat e deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës, ky është një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit evropian, për drejtësinë e aksesit të barabartë, dhe jo sipas kufirit të vendosur me të padrejtë nga politika. Çdo përgjegjësi merret vetëm kur shoqërohet me llogaridhënie. Kjo është një beteje që duhet të bashkonte shqiptarët më shumë se një vit më parë, por kjo betejë u inponua, pasi u konceptua si politike. Ata që nuk e deshën opozitën në këtë proces dhe që bënë gjithçka për damkosjen procesit. Ne ishim në këtë betejë në emër të çdo qytetari në opozitë dhe në qeveri. Opozita luajti një rol qëndror kundër kapjes së sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi dhe vota e PD janë realitet, bazuar mbi një draft të aprovuar nga Komisioni i Venecias. Falenderoj ambasadorët Lu dhe Vlahutin, me të cilët debatet kanë qenë jo të pakta dhe të nxehta. Dita e parë e Reformës në Drejtësi është edhe dita e fundit e kësaj qeverie”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Ora 00:47 Ilir Meta: Suksese! Le të vazhdojë ky konsensus edhe për projektligjet e tjera
Ora 00:46 Konsensus! Kuvendi miraton me 140 vota pro reformën në sistemin e drejtësisë
Ora 00:19 Rama: Sot ka fituar Shqipëria, reforma në drejtësi revolucion
"Sot fitoi Shqipëria". Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendi ku përshëndeti konsensusin e rritur më herët mes palëve, për të bërë të mundur miratimin unanim të reformës në drejtësi. Kreu i qeverisë theksoi se reforma është e vonuar prej 26 vitesh dhe miratimi i saj nga Kuvendi është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë në përpjekje për të pasur një sistem drejtësie profesional dhe të pakorruptueshëm.
"Nëse o të shkruaja një libër "Ç'më kanë parë sytë e ç'më kanë dëgjuar veshët", jam i sigurt se lexuesit nuk do ta besonin kurrë. Nuk do ta shkruaja se do të sëkëlldiseshin disa përfaqësues të popullit në këtë sallë e do të tronditej populli jashtë salle e po ashtu dhe miqtë ndërkombëtarë.
Kjo ditë e sotme votimi konsensual për reformën e vonuar 26 vjet, nuk do të kishte ardhur kurrë përpara se të shuhej më parë fara e një politike të mbrapshtë me shtatë koka. Që e bëri drejtësinë shesh për përsheshet e veta. Mendon vetëm ta shtrydhë popullin në kutinë e votimit, për të siguruar ushqimin e barkut të vet të pangishëm. Ndaj ishte e vështirë dhe e pamundur të nxirrje nga ky parlament tymin e bardhë për një reformë që do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i drejtësisë", u shpreh Rama.
Shefi i mazhorancës tha se vota për drejtësinë çel siparin e një revolucioni në sistem, ndërsa shtoi se procesi i vettingut i asistuar nga ONM të cilët do të jenë të sanksionuar në Kushtetutë, do të bëjë të mundur spastrimin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.
"Jam i bindur që shqiptarët sonte që ndjekin fundin e kësaj odiseje të gjatë, e që derri pak orësh nuk e besonin që reforma dot ë bëhej e thellë, e certifikuar dhe e merituar me konsensus. do tu jem mirënjohës miqve tanë të mëdhenj, SHBA e BE. Do t'i mbaj mend me figurë dhe emër miqtë e shtrenjtë. Nëse në këtë konsensus të pamendueshëm jemi të gjithë nga pasioni për drejtësi, apo një pjesë nga malli e një pjesë nga halli, nesër s'do ketë pikë rëndësie. Vota çel siparin e një revolucion të shumë pritur në drejtësi e në rrugën e këtij revolucioni, njerëzit e zakonshëm, do të jenë krah për krah me SHBA e BE. SHBA e BE me rol kushtetues do të jenë pjesë aktive e procesit. Ky proces nuk do të ketë asnjë hap më të lehtë se ky që hodhëm sot. Kjo është arritja më e shëndetshme më e drejtë e kësaj reforme dhe siguroj se gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar do t'i fshijë fshesa e hekurt e vettingut", deklaroi Rama.
Kryeministri falenderoi ambasadorin e SHBA dhe ambasadoren e BE, për kontributin e dhënë.
"E meritojnë një duartrokitje jo vetëm falenderimi, por edhe ndjese, e më pas deri të Presidenti Obama, kancelarja Merkel, presidenti Hollande, kryeministri Renzi, pa harruar Sekretarin e Shtetit John Kerry, Shefja e Politikës së Jashtme në BE, Mogherini, komisioneri Hahn dhe në fund, jo për nga rëndësia, miken e shtrenjtë, Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland. Një falenderim sepse këta miq, i dhanë shprehje një angazhimi të jashtëzakonshëm si kurrë ndonjëherë në Shqipërinë e 25 viteve për t'i çelur popullit rrugën për të marrë pas hakun e drejtësisë", tha kreu i qeverisë.
Rama falenderoi edhe anëtarët e mazhorancës në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi si Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Vexhi Muçmataj, Ulsi Manja, Pandeli Majko dhe Petrit Vasili, ndërsa shmangu ata të opozitës.
"Sot ka fituar Shqipëria. I uroj PD-së sa më shumë fitore si ajo e djeshme, i ftoj të votojnë reformën dhe natën e mirë", përfundoi Rama.
Ora 00:04 Bylykbashi: Kjo reformë do të çojë drejt një Republike tjetër
Nënkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi Oerd Bylykbashi u shpreh se reforma në drejtësi ndryshon në mënyrë thelbësore Kushtetutën. Ai tha se kjo paketë e ndryshimeve kushtetuese do të çojë drejt një Republike tjetër.
"Procesi ndryshoi në mënyrë thelbësore Kushtetutën. Ndoshta do të çojë drejt një Republike tjetër. Vitet e fundit qytetarëve i është dashur më shumë se kurrë drejtësia. Shpresojmë që me këtë që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe, do t'i japim shqiptarëve një drejtësi ndryshe nga ajo që kemi patur këto vite, një drejtësi e cila iu shërben atyre, që jep drejtësi, që nuk blihet, një drejtësi pa korrupsion. Deri sot qytetarët këto nuk i kanë pasur. Kjo reformë duhet të ketë në themel konsensusin e parlamentit. S'mund të ketë themele veçse në konsensusin e gjerë politik për të garantuar jetëgjatësinë e reformës për shqiptarët", u shpreh Bylykbashi.
Deputeti demokrat tha se nëse reforma në drejtësi do ishte udhëhequr nga mungesa e konsensusit, atëherë funksionimi dhe jetëgjatësia e saj do të ishin në pikëpyetje.
"Kushtetuta nuk mundet që të jetë e themeluar në konflikt dhe mungesë konsensusi. Çdo gjë e menduar në thellim konflikti, do t'i çojë shqiptarët në tejzgjatjen e asaj që kanë provuar deri më sot. Po të ishte për këtë mazhorancë, do të kishim sot draftin e shtatorit të vitit të kaluar, por ishte kjo opozitë që me parimet e moskapjes së drejtësisë, paanësisë së saj, bëri që në këtë 1 vit kontribut, ne sot të vijmë me një draft, ndryshimin kushtetues i cili është shumë herë më i mirë sesa ai që mazhoranca miratoi shtatorin e kaluar. Ishte këmbëngulja e opozitës për të cilën të gjithë ne duke përballur e tejkaluar një numër akuzash të padrejta, ishte ky qëndrim i yni që ka sjellë këtë draft shumë herë më i mirë se ai i shtatorit të kaluar", theksoi Bylykbashi.
Ai falenderoi edhe ekspertizën e SHBA dhe BE në hartimin e draftit të reformës në drejtësi. "Me këtë draft ne do tu japim shqiptarëve një drejtësi më të mirë. Shumë veta, profesionistë, mund të kenë vërejtje dhe kritika për këtë draft, unë uroj që të kemi bërë një punë që kjo Kushtetutë të qëndrojë më gjatë", tha Bylykbashi.
Ai theksoi se reforma duhet të votohet me konsensus pa pasur merakun e mandateve me njollë, që mund të hezitojnë dhënien e votave për reformën.
Ora 23: 52 Mesila Doda: Votat e PDIU do jenë për reformën
Ora 23:44 Mediu: Reforma, fund vuajtjeve të shqiptarëve
Për kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, reforma në drejtësi duhet t'i japë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë, duke e vënë theksin kryesisht edhe tek çështja e pronësisë. Mediu tha se qytetarët shqiptarë duhet t'i zgjidhin problemet e tyre jo në Gjykatën e Strasburgut, por në gjykatat shqiptare.
Sipas tij, reforma duhet t'i shërbejë shtetit të së drejtës. "Reforma në drejtësi duhet t'i japë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë. Kjo reformë duhet t'i shërbejë shtetit të së drejtës", tha Mediu.
Ai theksoi se opozita u përfshi në proces dhe insistoi për konsensus që në fillim.
"Opozita u përfshi në këtë reformë me bindjen se ka nevojë për një drejtësi të pavarur dhe të pa kapur politikisht. Kemi bindjen se është një proces i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Asnjë votim i njëanshëm, asnjë pazar politik s'mund ta zëvendësojë dot vullnetin politik për konsensus të këtij Kuvendi", u shpreh Mediu.
Ora 23:28 Xhafaj: Reforma do pastrojë sistemin nga të korruptuarit
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj u shpreh nga foltorja e Kuvendit se kjo reformë do të pastrojë sistemin nga të korruptuarit. Sipas tij, paketa e ndryshimeve kushtetuese nuk bëhen për individë apo mandate të caktuara por për të riorganizuar institucionet e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të gjithë t'i shërbejnë ligjeve dhe kushtetutës.
"Kjo reformë i jep fund klientelizmit, korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë. Gjithëpërfshirja, transparenca dhe profesionalizimi ishin parimet bazë mbi të cilat u miratua ky proces. Ky sistem do të funksionojë në mënyrë efiçente dhe profesionale. Ky proces është një nga proceset më të mira nga për metodologji, angazhimi i burimeve njerëzore dhe institucionale", u shpreh Xhafaj.
"Kërkojmë drejtësi edhe për gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm emri i të cilëve është i ndotur në sistemin aktual të drejtësisë", deklaroi Xhafaj.
Ora 23:25 Nis punimet seanca e Kuvendit për miratimin e reformës në drejtësi
Ora 23:10 Pritet të nisë seanca e Kuvendit
Pritet nga momenti në moment të nisë seanca e Kuvendit për të votuar draftin kushtetues të reformës në drejtësi. Deputetët e komisionit të posaçëm parlamentar, pas miratimit unanimisht të draftit, kanë mbërritur në Kuvend dhe mbeten në pritje të startimit të seancës, për t'i dhënë fund reformës pas një dite të mbingarkuar.
Ora 23:00 Pandeli Majko: Urime të gjithë shqiptarëve
Ky ishte mesazhi i shkurtër i anëtarit socialist të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, teksa ka lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për t'iu drejtuar sallës së Kuvendit, ku pritet të votohet drafti kushtetues i reformës.
Ora 22:58 Rama: Mos u shqetësoni, po lexojnë atë që kanë pranuar
"Mos u shqetësoni, po lexojnë atë që kanë pranuar dhe u duhet kohë për ta tretur. E mbase ju duan në gjumë të gjithëve kur të kaloje Reforma", shkruan Rama në rrjetet sociale, lidhur me insistimin e deputetëve demokratë për të lexuar gërmë për gërmë draftin e reformës.
Pavarësisht kësaj, reagimi i kryeministrit erdhi pasi komisioni i reformës në drejtësi kishte miratuar në unanimitet draftin e reformës në drejtësi.
Ora 22:55 Lulzim Basha mbërrin në Kuvend i shoqëruar nga Edi Paloka
"Fitore e të gjithë shqiptarëve! Urime!", ka qenë mesazhi i Bashës duke ngjitur shkallët e Kuvendit.
Ora 22:53 Komisioni i reformës mirafton draftin Kushtetues unanimisht
Komisioni i posaçëm parlamentar i reformës në drejtësi ka miratuar unanimisht paketën kushtetuese të reformës në drejtësi.
(Anëtarët e komisionit të reformës në drejtësi)
(Drafti i reformës i firmosur nga të gjithë deputetët e komisionit)
Drafti i përcillet menjëherë Kuvendit, ku do të votohet në seancë.
Ora 22:25 PD: Deputetët po lexojnë draftin gërmë për gërmë
Partia Demokratike ka reguar pas informacioneve se deputetët e PD kanë lënë mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi. PD ka sqaruar se deputetët janë duke lexuar gërmë për gërmë draftin e paketës kushtetuese.
Ora 22:15 Anëtarët e PD dalin nga mbledhja e komisionit të reformës
Anëtarët e PD të komisionit të posaçëm të reformës dalin nga mbledhja. Përfaqësuesit e shumicës pritet të votojnë draftin kushtetues.
Ora 21:37 Ambasadori amerikan, Lu mbërrin në Kuvend
Ora 21:30 Nis mbledhja e komisionit të reformës në drejtësi
Ora 21:20 Ambasadorja e BE, Vlahutin mbërrin në Kuvend
Ora 21:10 Basha do flasë për mediat jashtë Kuvendit, pas votimit të reformës
Kryetari i PD, Lulzim Basha, do të flasë për mediat pas votimit të reformës në drejtësi. Mësohet se ai nuk do të mbajë fjalë në Kuvend, por do t'i drejtohet mediave jashtë sallës së Kuvendit, pas votimit të reformës.
Ora 21:00 Në mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të EURALIUS e OPDAT
Mbledhja e komisionit të reformës në drejtësi do të zhvillohet në prani edhe të ekspertëve të EURALIUS e OPDAT.
Ora 20:50 Anëtarët e komisionit: Nuk ka asnjë ngërç
Anëtarët e komisionit të reformës në drejtësi konfirmojnë se nuk ka asnjë problem në zbardhjen e marrëveshjes me Partinë Demokratike. Vonesa e mbledhjes së komisionit cilësohet procedurale dhe ka të bëjë vetëm me përshtatjen e tekstit.
Ora 20:25 Komisioni i reformës në drejtësi ende s'është mbledhur
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi nuk ka nisur nga puna. Bëhet fjalë për një vonesë në zbardhjen e formulave dhe tekstit përfundimtar të marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës.
Ora 20:00 Mblidhet grupi i PS 30 minuta para seancës
Në 20:30 është parashikuar mbledhja e grupit të PS në ambientet e Kuvendit.
Ora 19:45 Basha shtyn konferencën pas komisionit të reformës
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shtyrë konferencën për mediat, e cila ishte lajmëruar në orën 19:30, por është zhvendosur sipas burimeve nga selia blu pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të reformës, që aktualisht po kalon draftin e dakordësuar nga palët.
Ora 19:30 Përshëndetja e veçantë e Ramës në Twitter
Ora 19:25 Basha-deputetëve: Votoni unanimisht reformën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nga deputetët të votojnë unanimisht reformën në drejtësi. Drafti do të hidhet në votim pas më pak se dy orësh, kur të rimblidhet Kuvendi. Aktualisht është dukeu zhvilluar mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës.
Ora 19:20 Pritet të nisë mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar
Ora 19: 15 Seanca e Kuvendit për votimin e reformës në orën 21:00
Kuvendi do të mblidhet në orën 21:00 për votimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese. Marrëveshja e arritur me Partinë Demokratike do të zbardhet në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës dhe më pas dokumenti i ndryshuar do t'i përcillet seancës së Kuvendit për miratim.
Ora 19:00 PD mbledh grupin parlamentar
Ora 18:55 Pritet të mblidhet komisioni i reformës në drejtësi
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi do të mblidhet pas pak minutash. Komisioni do zbardhë marrëveshjen dhe hartojë ndryshimet Kushtetuese.
Më pas paketa e reformës në drejtësi do të depozitohet në parlament për votim.
Ora 18: 50 Çfarë parashikon marrëveshja e fundit me PD?
Së pari, formula për zgjedhjen e anëtarëve te KLGj dhe KLP nuk është formula e kërkuar nga Partia Demokratike. Kujtojmë se Basha dhe PD kërkonin të njëjtën formule për KLGj dhe KLP si atë te përzgjedhjes se anëtarëve te Komisionit te Vetingut.
Se dyti, thelbi i kërkesës së PD ishte një mekanizëm votimi që synonte bllokimin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të KLGj dhe KLP. Mesa duket, ky ishte plani B i opozitës, që pasi nuk ndaloi dot votimin e reformës, tentonte formula të tilla përzgjedhje qe do e bënim reformën të paimplementueshme.
Varianti final jo vetëm që parashikon vetingun përmes ONM të gjithë anëtarëve të KLGj dhe KLP, por parashikon edhe hedhjen e shortit në rast se gjatë dy raundeve të para të votimit, Parlamenti nuk i zgjedh dot anëtarët e këtyre dy trupave të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.
Mesa duket, kjo ka qenë dilema e Bashës dhe Berishës, të cilët për orë me radhë kane nguruar ta pranonin draftin e BE dhe SHBA, që mësohet se ka qenë mundësia e fundit që i është dhënë Partisë Demokratike.
Ora 18:40 Meta përshëndet marrëveshjen: Votë unanime në Kuvend
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përshëndet arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Duke falënderuar Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, Kryetari i Kuvendit thekson se marrëveshja është shenjë pjekurie dhe bashkimi.
Meta bën thirrje për formalizimin e procesit me votën unanime në Kuvend.
“Falenderoj Kryeministrin z. Rama, Kryetarin e PD-së z. Lulzim Basha dhe ambasadorët z. Donald Lu dhe znj. Romana Vlahutin. Marrëveshja është shenjë pjekurie dhe bashkimi. Tashmë të formalizojmë procesin me votën unanime në Kuvend. Mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, theksohet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Ora 18:35 PD pranon propozimin e ri të ambasadorëve
Arrihet marrëveshja për draftin e ambasadorëve Lu e Vlahutin. Partia Demokratike pranon propozimin për KLGJ dhe KLP.
Ora 17:45 Lulzim Basha kërkon më tepër kohë për reformën
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se kryetari i Partisë Demokratike ka kërkuar më shumë kohë për të vendosur lidhur me reformën në drejtësi.
Mësohet se këtë kërkesë Basha ua ka adresuar ambasadorëve Lu e Vlahutin. Nuk dihet se cila ka qenë përgjigja e ambasadorëve. S'dihet se cila është arsyeja e këtij qëndrimi të demokratëve, të cilët hezitojnë të firmosin marrëveshjen, pas propozimit të ri të ambasadorëve Lu e Vlahutin.
Nga ana tjetër, pritet të rinisë seanca e Kuvendit nga momenti në moment.
Ora 17: 42 Kryeministri Rama mbërrin në Kuvend
Kreu i mazhorancës, Edi Rama ka mbërritur në Kuvend në këto momente. Në sallën e Kuvendit ndodhen një pjesë e mirë e deputetëve socialistë. Pritet rinisja e punimeve t¡ Kuvendit.
Ora 17:10 Basha del nga Kryesia e Kuvendit: Jemi në negociata
"Jemi në negociata". Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të PD, pas daljes nga kryesia e Kuvendit, ku u takua me ambasadorët Lu e Vlahutin.
Ora 17:08 Rama dhe Meta pranojnë draftin e reformës, pritet përgjigja e Bashës
Mazhoranca ka pranuar propozimin e ri të ambasadorëve për reformën në drejtësi. Mësohet se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë shprehur dakordësinë e tyre për draftin e propozuar nga ndërkombëtarët. Mbetet për tu parë se cila do të jetë përgjigja e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
Ora 17:00 Hahn Komisioneri Hahn letër Ramës-Metës-Bashës
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn i është drejtuar sërish me anë të një letre kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Letra e Hahn vjen pas pas dështimit të marrëveshjes një ditë më parë. "Jam i surprizuar nga zhvillimet e natës së djeshme. I mirëprita reagimet e klasës politike një natë më parë", shprehet Hahn.
Ora 16:33 Fleckenstein: Propozimi i fundit në tryezë: Votojeni
"Propozimi i fundit është tavolinë. Këshilla ime: Jepini fund diskutimeve dhe votojeni", shkruan në Facebook raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.
Ora 16:23 Meta largohet nga kryesia e Kuvendit
Ilir Meta është larguar nga takimi me ambasadorët te kryesia e Kuvendit. Meta është larguar i shoqëruar nga negociatori i LSI, Ylli Manjani. Ndërkohë vijon takimi i ambasadorëve Lu e Vlahutin me kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Ora 16:14 Prej 4 orësh negociatat në kryesinë e Kuvendit
Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin ndodhen prej katër orësh në ambientet e kryesisë së Kuvendit në takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Aty ka mbërritur edhe kryetari i PD, Lulzim Basha i shoqëruar nga nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Ora 16:13 Basha sërish në kryesinë Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është drejtuar sërish ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, për t'iu ribashkuar negociatave të ambasadorëve Lu e Vlahutin me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.
Ora 16: 09 Basha nga Selia e PD: Vazhdojnë negociatat.
Ora 16:03 Rama: Çdo gjë për konsensus, reforma votohet
Kryeministri Edi Rama ka shprehur edhe njëherë tjetër se mazhoranca mbetet e hapur për konsensus. Sipas tij, reforma do të votohet. "Opinioni ynë është po ai i njëjti prej kohësh: Çdo gjë për konsensusin dhe Reforma në Drejtësi o do votohet o do votohet!", shkruan Rama në Facebook.
Ora 16:00 Ambasadorët takim me Xhafajn dhe Ruçin në Kryesi
Pas takimit prej më shumë se 3 orë me kreun e Kuvendit Ilir Meta, ambasadorët e SHBA dhe të BE në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin po zhvillojnë një takim me kreun e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, dhe kreun e grupit të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi për gjetjen e konsensusit mes palëve.
Ora 15:15 Meta bisedë telefonike me Fleckenstein
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Kreu i Kuvendit është shprehur se beson në një zgjidhje konsensuale.
Ora 15:10 Përfundon mbledhja e grupit parlamentar të PD
Pas rreth 35 minutash diskutime ka përfunduar mbledhja e grupit të PD, ndërsa komentet nga deputetët kanë munguar duke u mjaftuar vetëm me fjalët “reforma po negociohet”.
Ora 15:07 Selami: Nëse s'ka konsensus fatura bie mbi ne
Kreu i PD, Lulzim Basha ka informuar grupin për ecurinë e negociatave dhe për çështjen që po diskutohet ende në tryezë nga palët politike. Basha ka deklaruar se akoma nuk ka finalizim të negociatave mes palëve dhe se nuk mund të flasim për formulën e re, pasi presim përgjigjen e Ramës SHBA dhe të Bashkimit Europian”.
Deputeti Edurad Selami ka qenë sërish kritik në grup, pasi ka paralajmëruar kreun e PD, se “Nëse nuk ka konsensus fatura bie mbi ne, pasi ka dy deklarata të SHBA kundër Partisë Demokratike”.
Ora 15:05 Basha: Dakord me propozimin, vijojnë negociatat
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur para deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat se e pranon propozimin e ri të ambasadorëve Lu e Vlahutin. Ai ka theksuar se negociatat vijojnë. "S’ka finalizim të negociatave, por ne jemi dakord me propozimin ndërkombëtar. Presim dakordësinë nga Rama, SHBA dhe BE", u shpreh Basha.
Ora 14:42 Ambasadorët Lu e Vlahutin në takim me Ruçin e Xhafën
Ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin po zhvillojnë një takim në këto momente me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi si dhe kreun e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Ora 14:30 Nis mbledhja e grupit parlamentar të PD
Grupi parlamentar demokrat do diskutojë propozimin e ri të ambasadorëve Lu e Vlahutin për formulën e zgjedhjes së anëtarëve në KLGJ e KLP.
Ora 14: 22 Kryetari i Kuvendit Meta: Pranoj propozimin e ambasadorëve
Ore 14:20: Kryeministri Edi Rama: I gatshëm që të pranoj çdo propozim të ndërkombëtarëve
Ora 14:10 Ambasadorët formulë të re, Basha dakort me propozimin e tyre
Burime pranë selisë blu konfirmojnë se Partia Demokratike ka rënë dakord me propozimin e ambasadorëve për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Palët po diskutojnë për të gjetur një formulë kompromisi për këto dy institucione të kontestuara nga demokratët.
Ore 14:00 - Basha del nga mbledhja me ambasadorët
Ora 13:19 Sali Berisha, Qeveria teknike do ishte zgjidhje, dorëheqja e Metës do qetësonte gjakrat
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka thënë sot se krijimi i qeverisë teknike ka qenë një propozim i kreut të demokratëve Lulzim Basha dhe se do ishte një zgjidhje, ndërkohë që dorëheqja e deklaruar nga Meta, në rast se ai voton reformën pa konsensus, do të ishte një zgjidhje për të qetësuar gjakrat.
“Qeveria teknike është një tezë e paraqitur nga Basha, ndërkohë që dorëheqja e metës do ishte zgjidhje shumë e dobishme për të qetësuar gjakrat. Kjo është një qeveria e paanshme për përgatitjet e zgjedhjeve’ tha Berisha.
Duke u ndalur tek çështja e negociatave, ai ka thënë se kryeministri Rama ka munguar në negociatat e sotme çka tregon një dëshpërim të tij. Ai ka shtuar se të gjithë shqiptarët po e shohin se kush e do apo jo reformën.
“Rama mungon sot në negociata, kjo është shenjë që tregon dëshpërim. Mosprania e Ramës në tryezë kërkon që ai është i dëshpëruar dhe s’ka nerva për negociata
Mendoj se kush po e bllokon reformën edhe veshgjatët në Shëngjergj e kanë marrë vesh. Ajo që kam unë, ndjej keqardhje po të bllokohet pasi mendoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ka negociata në vazhdim dhe unë nuk dua të paragjykoj.Por dua të them se të gjitha pikat ku ndahen palët janë 100% të zgjidhshme. Cdo negociatë konfidenciale është jo në linjën e negociatave me procesverbal, por në mirëbesim. Pala tjetër thotë Jo. Mohon marrëveshjen” tha Berisha.
Berisha ka thënë nga ana tjetër se dëshmitar i arritjes fillimisht të konsensusit mes palëve është Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ndëkrohë që ka shtuar se, palët tani janë duke luftuar për të gjetur një zgjidhje, por shton se mazhoranca po këkron që tyë mbledhë 71 vota për ta kaluar Reformën në Drejtësi.
“Për fat të mirë, ministri i drejtësisë pohon atë që ka pohuar edhe përfaqësuesi i marrëveshjes konfidenciale të Edi Ramës. Dëshmitar 100% i besueshëm është Manjani. Është një keqardhje e madhe që gjendemi këtu. Tani po luftojnë për të gjetur një zgjidhje. Një rilindës më ka dërguar mbrëmë një sms. Rama po përpiqet të bëhen 71 vota. Nuk i rri prapa atij, po them çfarë thotë socialisti. Ai po lufton për 71 votat. Rama po bën gjithçka për të mos u votuar reforma. KLP e KLGj nuk janë kushte të reja për opozitën" tha ai.
Berisha ka deklaruar se në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të partisë Demokratike asnjë deputet nuk ka thënë se do ta votojë sot Reformën në Drejtësi pa konsensus.
Prononcimi i plotë i Berishës për gazetarët:
Ora 13:10 Gazetarët e pasjellshëm me Blushin
Në luftën “mediatike” për të marrë më shumë reagime nga personazhet kyç e të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi që pritet të miratohet sot në Kuvend, duket se opinion i Ben Blushi nuk ka aq shumë rëndësi sesa ai i ish-kryeministrit Berisha.
Në momentin që deputeti socialist Ben Blushi fliste për mediat, nag ana tjetër e jashtë Kuvendit ish kryeminsitri Sali Berisha, e gazetarët duket si pa të keq e kanë lënë Blushin e kanë ikur me vrap drejt tij.
Kjo ishte një mënyrë “e pasjellshme “ e gazetarëve ndaj Ben Blushit i cili ka qënë gjithnjë nëj zë kritik brenda të majtës, megjithatë kur bëhet fjalë për "doktorin" dhe mendimet e tij është gjithmonë e rëndësishme të dëgjosh.
Ora 13: 08 Blushi: Pres të votoj reformën sot, politika po turpërohet
Deputeti socialist, Ben Blushi, u shpreh se pret të votojë reformën në drejtësi brenda ditës së sotme.
"Edhe nëse reforma kalon, klasa politike ka marrë një aksent të madh. Pres të votoj, do ta votoj pa kushte, kam 6 muaj që pres ta votoj. Kjo që ndodhi që u arrit një marrëveshje, dhe të gjithë thanë kemi arritur marrëveshje dhe pas 3 orësh thanë s'kemi marrëveshje, kjo është qesharake. Kanë arritur marrëveshje për të mos u marrë vesh. Reforma në drejtësi duhet të miratohet me çdo kusht", u shpreh Blushi.
Ore 13:00 Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin po zhvillojnë një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Në këtë takim marrin pjesë edhe dy negociatorët e PD e LSI, Oerd Bylykbashi e Ylli Manjani.
Pjesë e këtij takimi nuk do jetë kryeministri Edi Rama.
Ky takim erdhi pas ndërprerjes së punimeve të Kuvendit për të gjetur konsensusin e reformës në drejtësi. Ilir Meta u shpreh nga foltorja se kjo seancë e Kuvendit nuk do të përfundojë pa miratuar paketën e ndryshimeve kushtetuese.
Ora 12:56 Genc Ruli: Vota ime pro Reformës në Drejtësi
Deputeti i Partisë Demokratike Genc Ruli në një deklaratë për mediat jashtë parlamentit ka thënë se vota e tij është pro Reformës në Drejtësi, por nga ana tjetër ka shtuar se, deputetët nuk kanë një tekst për të cilin duhet të votojnë Reformën në Drejtësi.
Ai ka shtuar se politika ndikohet nga drejtësia, ashtu siç drejtësia duhet të ndikohet nga politika.
“Vota ime është pro Reformës në Drejtësi. Ca është negociuar në muajin e fundit, këto gjëra nuk janë në tekstin që deputetët duhet të votojnë. Ne nuk kemi një tekst të cilin duhet ta votojnë. Shqipëria ka përvoja shumë të mira, shumë serioze e cilësore sesi bëhen akte të tilla kushtetuese.
Reforma nuk është vetëm drafti që është para, në një draft që për hir të rinovimit, ia jep drejtësinë në dorë Ramës ajo nuk është reformë. Reforma duhet të largoje politikën nga drejtësia. Nëse kthehemi tek skema që ai që ka pushtetin të emërojë gjyqtarët e prokurorët, ky është kthim pas. Janë krijuar shumë marrëzira në kuadër të ksaj reforme. Policia duhet të ketë ndikim nga drejtësia
Ora 12:50 Mimi Kodheli: Ne do ia dalim, Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në një deklaratë për mediat, jashtë sallës së Kuvendit ka thënë se Reforma në Drejtësi do të miratohet dhe se Shqiëpria e shqiptarët meritojnë më shumë.
Ajo ka kujtuar edhe një thinje të William Shekspir, “Nuk ka gjëra të pamundura, por njerëz të pazotë”
Jemi duke bërë më të mirën për vendin, vazhdojmë të mbetemi përfaqësuesit më dinjitoz të qytetarëve.Kemi një ngarkesë të madhe, do ta përfundojmë këtë proces. Jam besimplotë sepse ne mund t’ia dalim. Shqipëria e shqiptarët meritojnë shumë më shumë. Ky optimizëm ka të bëjë me moralin që ne kemi ngritur këtë proces. Që në fillim ne kemi qenë besimplotë se jemi duke bërë të mirën, është vështirë, por jo e pamundur. Më kujtohet një thënie e Ëelliam Shekspir: ‘Nuk ka gjëra të pamundura, por njerëz të pazotë”
Ora 12:47 Ndërpritet pë disa momente seanca plenare
Drejtuesja e seancës Valentina Leskaj ka vendosur që të ndërpresë për disa momente seancën plenare
Ora 12:00 Nis takimi i ambasadorëve Lu e Vlahutin me Metën e Bashën
Ka nisur takimi i ambasadorëve Lu e Vlahutin me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Në këtë takim marrin pjesë edhe dy negociatorët e PD e LSI, Oerd Bylykbashi e Ylli Manjani.
Ora 11:56 Basha ikën nga Kuvendi, takim me ambasadorët te Kryesia
Ora 11:55 Kuvendi rinis punimet me pikat e tjera të rendit të ditës
Kuvendi ka rinisur punimet pas pauzës disa minutëshe, nën drejtimin e nënkryetares Valentina Leskaj. Seanca do vijojë punimet me pikat e tjera të rendit të ditës. Ndërsa faktorët kryesor të politikës janë në përpjekje për gjetjen e konsensusit të reformës në drejtësi.
Ora 11: 47 Ambasadorët Lu e Vlahutin takojnë Metën, pritet dhe Rama
Ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe ajo e BE, Romana Vlahutin kanë mbërritur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku do të zhvillojnë një takim me kryeparlamentin Ilir Meta. Pjesë e këtij takimi pritet të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Nuk dihet nëse do të marrë pjesë dhe kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ora 11:44 Mbërrin në Kuvend kryetari i PD, Lulzim Basha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvend për të ndjekur punimet e seancës. Basha shoqërohej nga nënkryetari i komisonit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Ora 11:35 Ambasadori Lu largohet nga Kuvendi
Pas ndërprerjes së punimeve të seancës nga Meta, ambasadori i SHBA, Donald Lu është larguar nga Kuvendi. Diplomati amerikan nuk ka pranuar të komentojë për mediat atë që po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë si rrjedhojë e ngërçit të krijuar për reformën.
Ora 11:33 Selami: Për të ardhur keq, por reforma do miratohet
Deputeti i PD, Eduard Selami u shpreh se është për të ardhur keq ajo që po ndodh me reformën në drejtësi. Megjithatë, ai kujtoi se reforma do të miratohet pavarësisht kësaj situate.
"Është për të ardhur keq, ju siguroj se askush nuk mund të ndalë reformën në drejtësi që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe SHBA-së që unë i jam mirënjohës. Reforma në drejtësi do të bëhet me konsensus sipas draftit të znj.Nuland", u shpreh Selami.
Ai theksoi gjithashtu se një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar, Partia Demokratike vendosi unanimisht të votonte reformën në drejtësi sot në Kuvend.
Ora 11:30 Meta ndërpret seancën: Vijojmë negociatat
Seanca e Kuvendit është ndërprerë përkohësisht. Kryeparlamentari Ilir Meta tha se kjo pauzë do shfrytëzohet për të gjetur konsensusin mes palëve, në mënyrë që reforma të votohet brenda ditës së sotme.
Kjo seancë e Kuvendit, ka thënë Meta, s'do i mbyllë punimet këtë të enjte, pa votuar paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës.
Meta: Votoj reformën dhe pa konsensus e jap dorëheqjen
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar se nëse palët nuk do të arrijnë konsensusin për miratimin e Reformës në Drejtësi, ai do ta votojë në seancë por pas këtij veprimi ai do të japë dorëheqjen.
Meta ka shtuar se i ka bërë thirrje Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të pranuar marrëveshjen e arritur, ndërkohë që palët duhet të vendosin për një vendim jo të njëanshëm, por ka theksuar se konsensusi duhet të gjendet vetëm sipas Venecias. Megjithatë, kreu i Kuvendit ka theksuar se nëse PD nuk jep dakordësi, atëherë ai do ta votojë reformën dhe pa konsensus, e pas këtij momenti do largohet nga drejtimi i Parlamentit.
“E vetmja mënyrë për të arritur konsensusin është sipas Venecias. Unë besoj shumë tek përgjegjshmëria e Bashës. Nëse PD pas sqarimit të këtyre momenteve nuk pranon ta votojë unë do ta votoj reformën pa konsensus dhe do jap dorëheqjen”, tha ai.
Apeli i kryetarit të Kuvendit ka shkuar drejtpërdrejt për përfaqësuesit e opozitës, pasi siç u shpreh Meta, nuk mund të lejohet që vendi të qëndrojë prapa edhe për 30 vite të tjera.
“I kam bërë thirrje Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të pranuar këtë marrëveshje. Është i rëndësishëm konsensusi patriotik sepse ky ndryshim kushtetues nuk duhet te jetë i njëanshëm. Nuk është një ndryshim elektoral po për të gjitha dekadat ndaj do të votohet patjetër. Për dy tre gjëra nuk mund të rrezikojmë të ardhmen e integrimit europian të Shqipërisë sepse pa dialog politik nuk ka përparim të vendit. E kam ngritur tonin sepse kam pasur përgjegjësi të madhe, sepse në këtë parlament kemi bërë akte që nuk duheshin. Nuk dua që për disa paqartësira të lëmë Shqipërinë mbrapa edhe për 30 vite të tjera” vijoi Meta.
Nga ana tjetër, Meta i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë që të jenë të qetë pasi nuk ka ansjë gjë për tu shqetësuar.
“U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë dhe amerikanë të jenë të qetë sepse nuk do të ketë asgjë për tu shqetësuar. Konsensusi është më i rëndësishëm se reforma, sepse pa të do të kemi probleme, do të japim një opinion të keq në vend dhe para ndërkombëtarëve. Jam i vendosur të sqarohemi me opozitën dhe të ruajmë konsensusin. Stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe SHBA, sepse jemi vend i NATO-s, prandaj duhet të jemi më të përgjegjshëm”.
Meta ka ndërprerë seancën dhe ka deklaruar se, do të vijojë negociatat në mënyrë që ndërkombëtarëve t'i jepet mesazhi që reforma do të votohet.
“Që nga ky moment do të lë drejtimin e kuvendit dhe do të shkoj tek të gjitha palët dhe negociatorët që t'i japim mesazhin ndërkombëtarëve që e votuam reformën me konsensus. Votat e LSI janë për reformën, prandaj ftoj Bashën të sqarojë pozicionin e tij me SHBA”, tha ai.
Ora 11:20 Nis seanca, ambasadorët të pranishëm
Ka nisur seanca plenare në Kuvend ku të pranishëm janë edhe ambasadorët e vendeve të ndryshme, përfshi edhe atë të SHBA e BE.
Ora 11:11 Bregu: Reforma do të votohet, pavarësisht se burrat nuk po mbajnë fjalën
Dje besova se kemi të bëjmë me burra, por po sillen si gra të këqija. Reforma do të votohet.