Shifrat e sakta qartësohen në vendimin e zbardhur të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat në mujin Dhjetor 2013 vendosën të shkarkojnë nga detyra e gjyqtarit Neritan Tibaku.
Vendimi i Gjykatës së Lartë linte në fuqi vendimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili me shumicë unanime urdhëroi shkarkimin e Tabakut, pasi nuk kishte zbardhur 60 vendime gjyqësore, të cilat ai i kishte gjykuar për rreth dy vite. Rasti më flagrant i shkeljes së ligjit është ai i mosbardhjes së vendimit të pafajësisë së Ilir Xhakes, i akuzuar nga prokuroria e Durrësit për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.
Xhakja për këtë ngjarje është shpallur i pafajshëm, por gjyqtari Tabaku nuk e ka zbardhur vendimin për një periudhë kohe prej 1 vit e 7 muaj e 5 ditë. Xhakja është i pari gjyqtar që është shkarkuar nga Gjykata e Lartë.
Imazhi i drejtësisë
Në vendimin e gjykatës thuhet se është provuar se ankuesi ka shkelur nenin 308 të K.Pr.Civile dhe 311 të K.Pr.Penale. Këto shkelje janë kryer prej tij në mënyrë të përsëritur. Janë 60 shkelje në arsyetimin dhe dorëzimin e vendimeve gjyqësorë që variojnë nga 69 ditë deri në 1 vit e 7 muaj e 5 ditë; nuk ka ndonjë justifikim të arsyeshëm për këto shkelje, pasi nuk rezulton që ankuesi të ketë vënë në dijeni KLD apo kryetarin e gjykatës së tij për pamundësitë e tij objektive në ushtrimin e detyrës, madje kryetari i gjykatës ku ka punuar ankuesi për këtë problem ka bërë disa mbledhje dhe ka njoftuar edhe KLD.
Sipas vendimit shkeljet e ankuesit kanë sjellë pasoja në dy plane, duke cënuar imazhin e drejtësisë (fakt botërisht i njohur nga lajmet negative për drejtësinë që u shfaqën në shtyp e media), dhe ka cënuar të drejtat e palëve për proces të rregullt ligjor si pasojë e vonesave të krijuara nga veprimet e ankuesit. Vendimi i KLD është marrë në zbatim të drejtë të Kushtetutës, ligjit organik, praktikës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për çështje analoge dhe jurisprudencës së GJEDNJ.
KLD ka të drejtë
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se vendimi i KLD nr.302/1, datë 07.12.2012 është një vendim i marrë në respektim të plotë të ligjit procedural dhe atij material dhe si i tillë ai duhet të lihet në fuqi. Gjykata e gjen të pabazuar pretendimin e ankuesit se KLD, duke vazhduar mbledhjen pa pjesëmarrjen e tij, ka shkelur parimin e procesit të rregullt ligjor, pasi atij nuk i është dhënë mundësia që të dëgjohej në këtë procedim dhe të realizonte të drejtën e tij të mbrojtjes.
Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)