Vendimi i 21 Janarit, Ngjela: Pritej
nga Gjykata e korruptuar e Berishës

TIRANE - Një gjykatë e korruptuar nuk mund të japë fajësi. Kështu e ka komentuar avokati Spartak Ngjela vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës, e cila i dha pafajësi ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve gjatë protestave të opozitës kundër qeverisë më 21 janarin e dy viteve më parë, të zhvilluara para Kryeministrisë.

“Si mundet gjykata të japë fajësi kundër Berishës, një gjykatë e korruptuar. Një gjyqtar i korruptuar nuk jep kurrë drejtësi kundër shtetit. Kurrë mos prisni drejtësi nga gjyqtarë të korruptuar”, tha Ngjela.

I ftuar në studion e lajmeve të televizionit A1 REPORT! Spartak Ngjela foli me një gjuhë të ashpër ndaj Kryeministrit Berisha ndaj të cilit nuk rreshti së vëni etiketime të ndryshme si bandit që ka uzurpuar pushtetin, injorant, hajdut, vrasës, një njeri që po i bën të tëra, siç e cilësoi Ngjela.

“Ky është një bandit që ka uzurpuar shtetin. Ka vënë gjithë kukullat në dispozicion duke filluar që nga Presidenti. Ky po vjedh, po vret, po i bën të tëra. Njerëzit duhet të tregohen të qartë dhe të guximshëm, në të kundërt do të skllavërohen në një geto të pashpirt”, tha Ngjela gjatë bisedës me gazetaren Mira Kazhani.

Në këtë kontekst, avokati Ngjela, njëherësh kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi (PDL), pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste, ngriti nevojën e një reforme të madhe për drejtësi. Ngjela theksoi se populli është përgjegjës për atë që lë në pushtet, ndërsa i bëri apel për t’u ngritur në protesta.  “Duhet vendosur drejtësia në Shqipëri, të fillojë procesi që nesër. Opinioni publik të ngrihet, le t’i vrasin. Ndryshe...rrini në padrejtësi. Drejtësia nuk të dhurohet. Vrasësit ju thonë që më 21 Janar kemi mbrojtur institucionet, çfarë mbrojtën, tullat?”, tha avokati.

Duke e parë zgjidhjen e vetme në ngritjen e popullit në revoltë, Ngjela tha se ndryshe nga Kryeministri i cili nuk e di se çka bërë me vendimin e sotëm të Gjykatës, shqiptarët duhet ta dinë shumë mirë. “Saliu është injorant, nuk e di se çka bërë. Por ne duhet të ngrihemi ti tregojmë vendit se çka bërë ai. Përgjegjësi kanë të gjitha ata që e mbajnë në pushtet”, theksoi Ngjela.

Avokati Ngjela tha se në këtë moment opozita duhet të bëjë punën e saj t”’i flasi popullit me gjuhën e arsyes së forcës”. “Shqiptarët të rrinë të qetë dhe të marrin pjesë në betejat elektorale”, tha Ngjela, duke zbutur njëkohësisht deklaratat e ashpra për ngritje në protesta edhe pse ato mund të sjellin sërish vrasjen e popullit.

“Problemi është shumë i thellë, shumë serioz dhe shumë historik, shumë akut. Shqipëria lëngon nga një bandë e cila ka uzurpuar shtetin. Ky është shkaku që populli të ngrihet dhe të mos lejojë që të shkojmë në zgjedhje me një bandit”, deklaroi në studion e lajmeve të A1REPORT! kreu i PLD, Spartak Ngjela.

Në përfundim të intervistës, Ngjela deklaroi e shqiptarëve u duhet treguar disku i zbardhu mbi atë çfarë është regjistruar në Kryeministri gjatë protestave të 21 Janarit.  “Le të zbardhë diskut t’ia tregojë shqiptarëve, pastaj do shohë se çfarë do bëjnë shqiptarët. Kam diskun, të votojnë diskun. Disku është i zbardhur nga FBI, SHBA t’ia tregojë shqiptarëve. Mafia është më dinjitoze se këta. Këta janë mafie, por mafie orientale, e orientit pis, që s’ka as rroba që janë të veshur zhele, këta janë”, përfundoi avokati Spartak Ngjela.

Në protestat e opozitës kundër qeverisë më 21 Janar 2011, 4 demonstrues Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj e Aleks Nika mbetën të vrarë, të cilët sipas vendimit të sotëm të Gjykatës, nuk janë qëlluar nga gardistët.

spartak ngjela mira kazhani
(Foto, Spartak Ngjela i ftuar në studion e lajmeve të televizionit A1REPORT! dhe gazetarja Mira Kazhani)

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati