Vendimi i fundit, Heroi Isa
Boletini do të prehet në Mitrovicë

Vendimi i fundit, Heroi Isa<br />Boletini do të prehet në Mitrovicë
TIRANE- Më në fund, vendim pas vendimesh (Ku njëri vendim qeveritar rrëzon tjetrin!), eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të vrarë në janar të vitit 1916 në Podgoricë të Malit të Zi, do të varrosen të mërkurën, më 10 qershor, në orën 15.00 në fshatin e tij të lindjes, Boletin, që tashmë është pjesë e komunës me shumicë dërmuese serbe, Zveçanit.

Ka nisur dje paradite manifestimi i ceremonisë së rivarrimit të Heroit Kombëtar, Isa Boletini, eshtrat e të cilit do të përcillen me nderime në vendlindjen e tij, në Mitrovicë. E organizuar nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, me manifestime dhe aktivitete triditore do të vijojë një ceremoni madhështore me një axhendë të pasur deri në datën 10 qershor 2015 në qytete të ndryshme të Kosovës deri në Mitrovicë. 

Rivarrosja e eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë, vjen pas dy vendimeve të ndryshuara në një hark të shkurtër kohor të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Pas debateve që erdhën nga familjarët dhe akademikët dhe intelektualët e Kosovës e të Shqipërisë për vendimin që Isa Boletini të rivarrosej në Vlorë, u arrit që eshtrat e Heroit Kombëtar do të prehen më në fund të qeta në vendlindje.

Rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit është vështirësuar, sepse ka kaluar përmes shumë situtave dhe incidenteve diplomatike. Pas përfundimit të ekspertizës për vërtetësinë e eshtrave, që u konfirmua në Strasburg, pas tre vitesh ekzaminime, problemi i rivarrimit nisi të hapte shtegun e një konflikti të ri ndërtenik në Mitrovicë.

Përfaqësuesit e serbëve kishin vendosur të mos lejonin varrimin e eshtrave të Isa Boletinit në oborrin e kullës së tij të rindërtuar në Boletin, duke paraqitur edhe një deklaratë të bërë nga Jabllanoviç. Përfaqësia serbe kontaktoi me misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe pas kësaj qeveria e Kosovës u detyrua të vihej përballë një zgjidhjeje të re. Vendimi i qeverisë së Kosovës për ceremoninë e caktuar më 28 Nëntor 2014 për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje, në Boletin të Mitrovicës, u ndryshua për shkak të reagimit kundër të serbëve në Mitrovicë.

Pas disa bashkëbisedimeve kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosën që eshtrat e Isa Boletinit do të rrivarroseshin në qytetin e Vlorës më 10 qershor përkrah Ismail Qemalit.

Ky u quajt edhe si një vendim përfundimtar, por familjarët e Heroit Kombëtar, akademikët dhe intelektualët e Kosovës, dhe sidomos shqiptarët e Mitrovicës kanë reaguar kundër vendimit të një muaji më parë, që u mor në Tiranë. Ishte caktuar edhe data, 10 qershor 2015, ku sipas vendimit të qeverisë së Tiranës rrugëtimi do të kryhej nëpërmjet të gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë, derisa ceremonia të përmbyllej në sheshin e Pavarësisë dhe Isa Boletini do të prehej pranë bashkëluftëtarit të tij për pavarësinë e Shqipërisë Ismail Qemalit.
 
Heroi më në fund prehet i qetë në vendlindje
 
Edhe pse u fol shumë nga qeveria e Kosovës dhe e Shipërisë për “të mirat” e diplomacinë së marrëveshjejes që Isa Boletini të prehjes larg vendlindjes me shumicë serbe, nisën protestat në Mitrovicë dhe mbledhjet me përfaqësues të partive politike që eshtrat e Isa Boletinit “të mos migronin për shkak të politikës serbe”, por të preheshin në vendlindjen e tij, pranë kullave të Boletinëve në komunën e Zveçanit, Mitrovicë, ku Isa Boletini kishte lindur.  

Vendimi i fundit i qeverisë së Tiranës, për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë edhe pse u quajt “përfundimtar” nga kryeministri Edi Rama u ndryshua. “Më në fund Isa Boletini do të prehet i qetë në trojet ku lindi dhe për lirinë e të cilave dha jetën e tij”, na bëjnë të ditur burime nga Këshilli Organizativ për Organizimin e Ceremonisë së Rivarrimit të Heroit Kombëtar.

Sipas organizatorëve të kësaj ceremonie, peripecitë e rrivarimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, që nga dita e djeshme morën fund. Këshilli Organizativ për Organizimin e Rivarrimit të Isa Boletinit bën të ditur se ceremonia ka nisur dje në orën 10:00 në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe po vijon manifestimi dhe aktivitet 3 ditore (8 -10 qershor 2015) sipas kësaj agjende:


E hënë, 8 qershor
 
-ora 10.00-12.00 Fillimi i ceremonisë në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
 
-Fjalimi i kryetarit të Komunës.
 
-12.00 Përcjellja e arkivolit në Deçan.
 
- Deri në orën 20.00, aktivitete dhe homazhe në Pallatin e Kulturës së Deçanit.
 

E martë, 9 qershor
 
-10.00 Arritja e arkivolit me eshtrat e Isa Boletinit në Skënderaj drejt kompleksit “Adem Jashari”.
 
-Homazhe pranë kullës së Adem Jasharit.
 
-12.00  Nisja e arkivolit me eshtrat e Isa Boletinit drejt Prishtinës.
-12.00 seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës në nderim të jetës dhe veprës
së Heroit Kombëtar Isa Boletini.
-14.30 Homazhe në Prishtinë dhe në kuvendin e Kosovës
 
-19.00 Përcjellja në Mitrovicë.
 
-19.30 Pritja në Mitrovicë e arkivolit me eshtrta e Heroit Kombëtar
 

E mërkurë 10 qershor. Mitrovicë
 
-8.30-Seancë e Kuvendit të Mitrovicës për Isa Boletinin.
 
 
-9.00-12.00 Homazhe në sheshin “Adem Jashari” dhe në stadiumin e Mitrovicës.
-12.00 -13.30 Fjalimet e rastit.
 
-Ora 15,00 rrivarrosja e eshtrave të Isa Boletinit në fshatin e tij të lindjes, Boletin, që tashmë është pjesë e komunës me shumicë dërmuese serbe, Zveçanit.
isa boletini

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji