Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret që të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktgjykimi për rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të shpallet më 16 shtator.

I pyetur se cilat janë pritjet e tij nga procesi gjyqësor, Thaçi ka qenë i prerë në intervistën e tij dhënë për Debat Plus.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi është pyetur edhe nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

Ish-Presidenti ka thënë se nuk është penduar, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka theksuar ish-Presidenti.


Lajmi kryesor:

Kriza politike në Kosovë, Thaçi porosi nga Haga: Mazhoranca dhe opozita të ulen në tryezë! Zgjedhja e Presidentit nga populli eliminon ngërçin institucional