Diaspora shqiptare pritet të protestojë sot në disa qytete të Evropës kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tubimet mbahen me moton “Jo në emrin tim”, ndërsa protestat do të vijojnë edhe në Prishtinë, ku sonte qytetarët pritet të mblidhen për natën e 12-të radhazi.
Protesta janë paralajmëruar në Londër, Oslo, Gjenevë, Treviso, Lindau dhe Shkup.
Në Shkup, tubimi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke nisur nga ora 14:00. Në Londër, protesta është planifikuar nga ora 15:00 deri në 18:00, në Richmond Terrace, ndërsa në Oslo tubimi pritet të zhvillohet nga ora 13:00 deri në 14:00, në Eidsvolls Plass.
Ndërkohë, sonte prej orës 21:00, qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kjo do të jetë nata e 12-të radhazi e tubimeve me moton “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë.
Një ditë më parë, protesta nga diaspora shqiptare u organizuan në Ulm, Frankfurt dhe Hamburg të Gjermanisë, si dhe në Kansalaistori të Helsinkit, në Finlandë.
Protestat kundërshtojnë vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi











Komente
Komento