Vendimi i Kosovës për reciprocitet me targat, serbët vijojnë protestat! Meta: Ruajtja e sovranitetit të Kosovës, faktor kyç për paqen! Kurti: I vetmi person që kërkon incidente është Vuçiç

KOSOVË-Për të tretën ditë radhazi pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës  në Jarinjë dhe në Bërnjak vijojnë të jenë të bllokuara. Protestuesit serbë vazhdojnë të protestëjnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave, që nuk i njeh më targat e Serbisë në Kosovë, asht sikurse në Serbi nuk njihen targat e Kosovës.

Që prej ditës së djeshme njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar në kufi dhe qëndrojnë në gatishmëri, megjithëse situate sipas mediave në Kosovë aktalisht paraqitet e qetë.

Raportohet se numri i protestuesve serbë gjatë natës është zvogëluar edhe për shkak të temperaturave të ulëta, megjithatë një numër i tyre ka qëndruar aty edhe mbrëmë, ashtu si një natë më herët, rreth një zjarri që kanë ndezur. Mbrëmë, ndryshe nga nata e parë, protestuesit nuk kanë bërë thirrje dhe as nuk kanë kënduar këngë nacionaliste.

Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Reciprociteti i targave, Borrell: Të ulen tensionet në veri, Kosova dhe Serbia të respektojnë detyrimet e dialogut

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell  ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendimit për reciprocitetin e targave. Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangien e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas tensioneve mes dy vendeve, pasi do të ndikonin kundër interesave të qytetarëve në rajon.

“Bashkimi Evropian bën thirrje për ulje menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës. Çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi ato do të shkonin direkt kundër interesave të njerëzve në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit.

Sipas Borrell, Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë detyrimet e përcaktuara në dialog në mënyrë që të shmanget një përshkallëzim i situatës.

“Ne i bëjmë thirrje lidershipeve në Beograd dhe Prishtinë të marrin pozicione të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shmangien e ndonjë përshkallëzimi të mëtejshëm, për të rivendosur një atmosferë paqësore dhe për të punuar për një zgjidhje të zbatueshme. BE -ja dhe Shtetet Anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre të dala nga dialogu pa asnjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Borrell

Ora 18:29
Reciprociteti i targave, Vuçiç: Ata duan që Serbia ta njohë Kosovën, nuk do të ndodhë kjo! Bisedimet do vazhdojnë pasi të tërhiqen nga vendimi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar sërish mbi vendimin e Kosovës për të mos lejuar futjen e makinave me targa serbe në territorin e saj. Nga Hungaria, gjatë një vizite zyrtare, Vuçiç ka thënë se Kosova po përpiqet që me këtë vendim të kërkojë njohjen e saj si shtet i pavarur. Vuçiç theksoi edhe njëherë që Serbia nuk do ta njohë Kosovën, ndërsa u shpreh se bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë vetëm pasi të hiqet vendimi për reciprocitetin e targave.

“Ne u thamë atyre, nuk ka problem, tërhiqni ROSUN dhe do të flasim. Çfarë veprimesh bëri Serbia? Mos e dërgoj ushtrinë apo policinë? Jo. Serbia kësaj radhe nuk ka bërë gjë. Të gjithëve u pengon një Serbi e fortë. Ata duan që Serbia t’i njohë. Unë nuk do të pajtohem me atë që duan ata. E përsërisë, ktheni të gjitha në gjendjen që ishte para 20 shtatorit, e ndoshta mund të flasim. Thërrisni NATO-n, telefononi këdo, por nuk do të merrni pëlqimin e Serbisë. Ata kanë interesat e tyre, e kjo është që Kosova të jetë e pavarur e ta detyrojë Serbinë të marrë pjesë në atë që nuk është në interes të saj. Çfarë është ajo që kemi bërë? Kur filloni të gënjeni kështu vazhdon. Ju shesin 5 kilogramë portokaj për 1000 dinarë. E pastaj vijnë policët e të thonë edhe 300 dinarë. Unë nuk paguaj reket dhe nuk do të jap ato 300 dinarë”, tha Vuçiç.

Ora 16:57
Petkoviç: Veprimet e Kurtit 'shkatërrojnë paqen në rajon'

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po angazhohet për destabilizim të situatës në Kosovë.

“Si planifikon të negociojë Kurti kur te njerëz duarthatë shkon me automjete të blinduara, snajperistë dhe gaz lotsjellës?” thuhet në deklaratën që ka lëshuar zyra e Petkoviç.

Sipas deklaratës, kompromisi mund të arrihet me bisedime, por “jo me politikë të dhunshme dhe agresive të Prishtinës”.

Në deklaratë thuhet se protestat e serbëve në Jarinjë dhe Bërnjak, “nuk janë veprim i njëanshëm, por reagim ndaj veprimeve të paligjshme të Prishtinës, e cila që 3.077 ditë shkel hapur Marrëveshjen e Brukselit, dhe tani do që ta ndalojë jetën në veri”.

Serbët në veri në Kosovës, për të tretën ditë me radhazi janë duke bllokuar vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, që të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, të kenë targa të përkohshme gjatë qëndrimit në Kosovë.

Ora 14:25
Çfarë thuhet në Marrëveshjen e Brukselit për targat e Kosovës?

 

Reciprociteti për targat mes Kosovës dhe Serbisë ka sjellë edhe njëherë në qëndër të vëmendjes Marrëveshjen e Brukselit mes Kosvës dhe Serbisë të nënshkruar në 2011. Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Çfarë thuhet në Marrëveshjen e Brukselit për targat e Kosovës?

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë e arritur në vitin 2011 në Bruksel., ka bërë që të hiqen targat serbe me inicialet e qyteteve të Kosovës.  Automjetet me targa të tilla janë regjistruar me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral - KS (Kosovë). Pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, qytetarët me origjinë serbe kanë përdorur targa të qyteteve në Kosovës, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime.  Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Kur ka skaduar afati për targat e diskutueshme?

Periudha pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator, 2021 dhe kryeministri i Kosovës ka deklaruar se targat e qytetarëve me origjinë serbe me targa qytetet e vendit do të sekuestrohen.

Çfarë në lidhje me targat me qytetet e Serbisë?

Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës. Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”.

Marrëveshja e Brukselit nuk përmend shprehimisht kushtet për hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të qyteteve në Serbi.

Masat e reciprocitetit

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë, tanimë qytetarët serb janë të detyruar të paguajnë të njëjtën gjë.

Si ka reaguar Brukseli?

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për shtensionim urgjent. Në të njëjtën formë ka reaguar edhe komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelyi.

Ora 13:12
Kurti: I gatshëm të heq targat e përkohshme, nëse i heq edhe Serbia

Në një konferencë për mediat në përfundim të mbledhjes së qeverisë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë një gjë të tillë kundrejt Kosovës, deklaratë që ai e kishte edhe dhënë edhe pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e BE-së në Kosovë.

“Kjo masë është e barabartë me atë që shteti i Serbisë e aplikon ndaj Kosovës për dy dekada. E kam bërë të ditur edhe në takimin që e kam pasur dje me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e misionit të BE-së, se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heqë, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë”, tha Kurti.

Ndërkohë që u shpreh i lumtur se kjo masë e marrë nga qeveria ka ndikuar edhe në zvogëlimin e targave ilegale në vend.

“Vendimi po ashtu është duke u zbatuar edhe për sa i përket eliminimit të të gjitha targave ilegale që kanë qarkulluar në Kosovë që nga paslufta. Jam i lumtur që ky problem i dekadave po merr epilogun e merituar. Jam i lumtur po ashtu që shoh përgjigjen pozitive të qytetarëve tanë, serbë lokal të të gjitha komunave të Kosovës për t’u pajisur me targa të përkohshme, teksa Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve po punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë ai.

Një thirrje Kurti pati edhe për kryetarët e komunave në veri që të tërheqin kamionët me të cilët qytetarët lokal serbë po i bllokojnë rrugët drejt pikës kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak.

“Jam i njoftuar që pengesat që shpijnë tek rrugët kufitare janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. U bëjë thirrje kryetarëve të komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftojë poashtu edhe grupin e organizuar të qytetarëve serbë që të largohen nga dy rrugët regjionale sepse kësisoj ata e kanë bllokuar edhe rrugën e tyre”, deklaroi ai.

Ora 12:27
Varhelyi: Veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje, palët t’i kthehen dialogut

Komisionieri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi ka deklaruar se veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje duke ju referuar vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa të përkohshme për qytetarët e Serbisë që futen në Kosovë.

“Është urgjente që të ushtrohet vetëpërmbajtje dhe të ulen tensionet, të ketë kthim në dialog dhe të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë. Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato vetëm çojnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, ka shkruar ai.

Që nga e hëna është duke u zbatuar vendimi për reciprocitet me targat e përkohshme me Serbinë.

Ky vendim i qeverisë është pritur me protesta nga serbët lokalë në veri të Kosovës të cilët edhe sot po e mbajnë të bllokuar rrugën që shpie në dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Ora 11:05
Reciprociteti i targave, Kurti: I vetmi person që kërkon incidente është Vuçiç

I vetmi person që dëshiron probleme në kufi është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është shprehur kështu kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë. .

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog. Edhe oferta jone publike është tejet praktike, le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e dhe Kosova. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet siç po bëjnë aktualisht. Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen bisedimet dhe ne jemi të gatshëm e të hapur për të biseduar.”

Situata në kufi për të tretën ditë rradhazi vazhdon të jetë e tensionuar dhe qytetarët serbë kanë mbyllur qarkullimin në Jarinjë.

Ora 10:49
Reciprociteti për targat, Meta: Ruajtja e sovranitetit të Kosovës, baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë! Palët të kapërcejnë tensionet

1563266415_metaa.jpg

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me reciprocitetin e targave të makinave që Kosova i ka vendosur Serbisë. Me një postim në Facebook, Meta shkruan se ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës, është baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë. Po ashtu Meta i bën thirrje të dy vendeve të kapërcejnë tensionet dhe të vijojnë dialogun.

"Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë. Në këtë frymë palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA", shkruan Meta.

Ora 09:45
Qytarët solidarizohen me policët kosovarë në kufi me Serbinë, u dërgojnë ushqime dhe pije pas bërjes publike të mënysë së varfër

Menyja e Policëve në kufi 

Nismës së dy qytetarëve të Kosovës iu kanë bashkuar edhe shumë qytetarë, për tu dërguar ushqim policëve të Njësisë Speciale, që prej tre ditësh po ruajnë rendin dhe qetësinë në kufij me Serbinë.

Kjo nismë është ndërmarrë pasi ishin bërë publike menyja e varfër me të cilën po ushqeheshin policët:  një copë buke, një konservë dhe një jogurt .

Një pamje e tillë ka prekur shumë qytetarë, të cilët janë shprehur të indinjuar me ushqimin që u shërbehet Policëve të Kosovës, ndërkohë që ata po përballen me protestuesit serbë dhe me strukturat e dyshimta kriminale në veri për shkak të vendimit për reciprocitet në targa. Shumë biznese në vend janë organizuar për të dërguar ushqim, ujë e pije tjera freskuese.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • karadakliu: 24/09/2021 07:50

    "Me nje te rame, dy te vrame".Reciprocitetin e plote dhe ruajtjen e votes per te dy palet.Dhe e treta e verteta,sherbim i barabarte per dialogusesit e tyre dhe si dhe "Nera n"ven,dashi ner dhene".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Lindon Selahi 'sms' Sylvinhos: Trajneri s'më ka telefonuar, kam shpresa për Europianin

Lindon Selahi 'sms' Sylvinhos: Trajneri s'më ka telefonuar, kam shpresa për Europianin