Vendimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë, Manastirliu-Nagavci firmosin tekstin e unifikuar të gjuhës shqipe për diasporën

TIRANË- Është nënshkruar sot mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vendimi i përbashkët për unifikimin e teksteve të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.

Ky vendim mes dy ministrive siguron që teksti i nivelit të dytë "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" të jetë i disponueshëm për fëmijët shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollat e diasporës.

“Sot ne kemi pasur një kurorëzim të një pune të gjatë nga ekspertë dhe studiues të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" për nivelin II, për grupmoshat e klasës së 4-6, i cili me vitin e ri shkollor në 2024- 2025 do të jetë në duar të fëmijëve, që janë në vende të ndryshme në mërgatë. Ne gjithashtu nisim konkursin për tekstin e nivelit të III, një punë që duam ta finalizojmë gjithashtu brenda këtij viti, duke përmbyllur kështu të gjitha ciklet e teksteve të përbashkëta”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Nagavci vuri theksin te bashkëpunimi i mirë mes dy ministrive, rezultat i së cilës është dhe teksti i përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare".

“Finalizojmë suksesshëm një punë të gjatë, jo të lehtë, që përfundoi me një produkt shumë të rëndësishëm dhe i vlefshëm për të gjithë fëmijët tanë në mërgatë”, - tha Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të Kosovës Arbërie Nagavci.

Në vitin që Shqipëria e ka shpallur si Vitin e Gjuhës Shqipe, bashkëpunimi mes dy vendeve merr një rëndësi edhe më të veçantë. Aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara, që përfshijnë seminare, konferenca dhe publikime të përbashkëta, dëshmojnë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.

Risia është organizimi për herë të parë i Olimpiadës së Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila synon të promovojë dhe të rrisë përdorimin e gjuhës shqipe dhe të forcojë lidhjet kulturore mes dy vendeve, shënon një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin arsimor dhe kulturor rajonal.

“Bashkëpunimi midis dy Ministrive tona është shumë i ngushtë dhe në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe kemi vendosur të vijojmë menjëherë me krijimin e grupit të punës së përbashkët sa i përket Olimpiadës së Gjuhës Shqipe”, - deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të intensifikohet edhe më tej, me ratifikimin së shpejti në Parlament të marrëveshjes në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe efektiv, duke përfshirë projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkencore si dhe ofrimin e mbështetjes për studentët e dy vendeve me 30 bursa studimi, me qëllim që të rinjtë të kenë mundësi të studiojnë në të dy anët e kufirit.

B.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mendoj:: 04/03/2024 19:55

    Mirë do të ishte,që në Kosovë të mësohej në Dialektin Gegërishtes,duhet ruajtur ky thesar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë