TIRANE- Ndryshojnë pagat dhe shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit. Kjo pas vendimit të djeshëm të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u vendosë që pagat e reja të punonjësve do të caktohen sipas disa kategorive të caktuara në strukturat e policisë. Kategoritë që përfshihen nga ndryshimi i pagës dhe i shpërblimit janë pikërisht punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për krimin e organizuar dhe krimet e rënda dhe Policinë Shkencore, punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për sigurinë publike dhe rendin publik, punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për kufirin dhe migracionin si dhe punonjësit e Policisë së Shtetit në struktura të tjera policore dhe administrative e mbështetëse.

Ndërkohë që sipas  vendimit të Këshillit të Ministrave, tarifat për punonjësit e rinj të Policisë së Shtetit janë caktuar sipas nivelit të tyre të shkollimit. Për punonjësit e rinj që nuk kanë përfunduar shkollimin, ata përfitojnë trajtim me pagë, në masën 8 000 lekë kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 9 000 lekë kur ka përfunduar arsimin e lartë. Ky projektligj hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa për zbatimin e tij do të jenë përgjegjës ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani.   Sipas këtij vendimi ndryshojnë edhe pagesat për punonjësit e policisë gjatë qëndrimit në shkollë.

“Punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 9 000 (nëntë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e lartë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për Policinë e Shtetit, të parashikuara në buxhetin e vitit 2014.

Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi si dhe ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014”, thuhet në vendim. Qeveria miratoi edhe ndryshimin e kritereve dhe procedurave të licencave të ndërtimit, ndryshimin a revokimin e licencave profesionale të shoqërive apo vendosjen e penaliteteve për subjekte që kryejnë veprimtari në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi brenda sferës së përgjegjësive, që i janë dhënë sipas kësaj rregulloreje në fushën e zbatimit në ndërtim. Gjithashtu u miratua vendimi për emërimin e Bordit të menaxhimit të autoritetit rrugor.

Trasporti rrugor
Në mbledhjen e djeshme është miratuar edhe projektligji për “Për transportet rrugore”, ku tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas nenit 14, të këtij ligji. “Tarifa e llojit të biletës në transportin qytetas të udhëtarëve me autobus miratohet nga këshilli bashkiak në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim.

Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohet nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligj.

tabela me pagat e policeve