TIRANE- Përmes një vendimi të miratuar dje, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, afatet e shqyrtimit, të miratimit apo skualifikimit të tyre, si dhe formulën e aplikimit nga ana e zotëruesve të objekteve. Sipas përcaktimeve të reja, Drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal (data e vendimit të kualifikimit). “Leja e legalizimit miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim ose/dhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje nëpërmjet: veprimeve juridiko-civile (kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin), trashëgimisë ose me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin; vendimit gjyqësor të formës së prerë. Dokumentacioni dorëzohet nga subjektet përpara përfundimit të procedurave administrative të miratimit të lejes së legalizimit”, thekson Vendimi i Qeverisë.
/Shqiptarja.com












