Burime për Report Tv bëjnë me dije se grupi i PS mblidhet të enjten në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave për të vendosur lidhur me rastin Balluku.

Mbledhja vjen pas asaj të Këshillit të Imunitetit ditën e hënë, ku socialistët u shprehën se masa e pezullimit nga detyra është e mjaftueshme.

Në mbledhje do të prezantohet qëndrimi i grupit dhe do të hartohet raporti, ku pritet që të mos aprovohet arrestimi i zv/kryeministres.

Raportin e socialistëve do ta hartojë Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherazi edhe anëtar i Këshillit të Imunitetit.

Edhe PD do të dalë me raportin e saj. Në fund, të dyja do të kalojnë për votim në Kuvend në seancën e 5 marsit.

Pasi Kuvendi të shprehet për kërkesën e SPAK, socialistët do të vijojnë me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos pezullojnë dot edhe Presidentin, kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe Kreun e KLSH.

Në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit që u zhvillua të hënën me dyer të mbyllura, SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut duke thënë se pozita e saj është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Prokuroria e Posaçme u shpreh se masa e arrestit është e nevojshme duke thënë “ne kemi nevojë që ajo të jetë e izoluar, pa mundësi për të komunikuar me të tjerët, sepse nëse është jashtë, dhe mban komunikime me vartësit, ajo mund të kryejë veprime të kundraligjshme përmes vartësve të saj. Ajo ka emëruar vetë në pozicione kyçe si drejtorë, të besuarit e saj. Dhe kontakti me ta është një lloj sikur në detyrë publike të ishte vetë ajo”.

SPAK thotë se vetë Balluku ka intimiduar dëshmitarët me vendin e punës, por edhe persona në emër të saj duke i kërcënuar me vendin e tyre të punës apo familjarëve ose me para në këmbim të ndryshimit të dëshmisë.

Avokatët e Ballukut pranuan se çështja nuk është e motivuar politikisht, ndërsa kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK duke thënë se Balluku nuk është më në detyrë dhe e ka zbatuar pezullimin.

Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Lajmi në përditësim...