Mbyllja e basteve, Veliaj: Ka bekimin tonë kjo nismë, Tirana është qytet më i sigurtë

Mbyllja e basteve, Veliaj: Ka bekimin tonë kjo nismë, Tirana është qytet më i sigurtë

Kryebashkiaku Erion Veliaj në Njësinë nr.5

Tre vite më parë as mund të mendohej që jo vetëm Njësia 5, por edhe e gjithë Tirana, të kishte një Park Olimpik modern, që arrin të presë edhe kompeticione ndërkombëtare të garave sportive. Pikërisht, nga ambientet e Pallatit të Sportit të Lojërave me dorë, “Feti Borova”, si simbol i transformimit dhe modernizimit që po pëson Tirana, Bashkia e Tiranës vijoi turin e dëgjesave me banorët e Njësisë 5 për Buxhetin e vitit 2019, si dhe për të bërë një përmbledhje të punëve që janë bërë në këto tre vite.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se tashmë pas tre vitesh çdo qytetar që votoi ndryshimin duhet të ndihet mirë për gjitha rezultatet e arritura, më së shumti në këtë njësi, duke filluar nga projektet e mëdha siç është ai i Parkut Olipmik, Parkut të Liqenit Artificial, Këndi i Lojërave, Amfiteatrit të Liqenit, por edhe për të gjitha punët që janë bërë në nivel lagje.

Mbaj mend ditën e parë kur filluam punë tek liqeni, ishte i gjithë një kompleks i madh ku digjej plastikë. Sot, ne zhvillojmë Maratonën e Tiranës aty dhe shumica e njerëzve as nuk e dinin që Liqeni ishte dy herë më i madh. Ja ku jemi sot! Një votë për PS dhe një mobilizim total i stafit, Bashkisë, njësisë, administratorëve, deputetit, kryetares së partisë, i gjithë njerëzve në komunitet solli këtë ndryshim. E paskemi vetë në dorë, nuk qenka kaq e vështirë! Unë besoj se siç kemi pasur në dorë për të sjellë këtë ndryshim në këtë territor, duam të vijojmë tani jo vetëm në pjesët ikonë të Njësisë 5, por edhe në nivel kapilar.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ai vuri në dukje punën kolosale që është bërë në Njësinë 5, duke nisur nga projektet më transformuese që prekin Njësinë 5, e deri tek projektet e së ardhmes. Veliaj dha lajmin e mirë se vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës do të nisë ndërtimin e Kopshtit të Ri Zoologjik dhe atij Botanik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga hapësirat më të frekuentuara për familjet e kryeqytetit.

Për të gjithë ata që janë të shqetësuar, nuk bëhet fjalë për Kopshtin Zoologjik që kemi lënë pas, bëhet fjalë për një hapësirë ku, në fakt, kafshët janë të lira dhe njerëzit janë ata që e përjetojnë në një labirint të rrethuar. Do bashkojmë Kopshtin Botanik me Zoologjik dhe po përdorim atë që sot është mënyra më e mirë dhe më humane e trajtimit të kafshëve, ku janë njerëzit ata që janë të kufizuar dhe kafshët janë të lira në hapësirat e tyre në Kopshtin Zoologjik. Kemi rehabilituar një pjesë të madhe të bregut. Do të vendosim shumë shpejt një stacion kanotazhi për ata që do të duan të dalin me varkë dhe besoj se kemi ngritur etalonin e çfarë do të thotë hapësirë dinjitoze, publike në kryeqytetin e shqiptarëve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj 

Ai u ndal edhe te vendimi i qeverisë për t’i dhënë Bashkisë së Tiranës 2.5 hektarë sipërfaqe që sot i përket Gardës së Republikës, duke theksuar se ajo do t’i shtohet Parkut të Liqenit Artificial, si një sipërfaqe e gjelbëruar dhe rekreative.

Jam shumë i lumtur që në dallim nga plani i Bashkisë dhe i qeverisë së vjetër, ku aty parashikonin ndërtime, sot Bashkia e Tiranës, falë vendimit të qeverisë, ka marrë 2.5 hektarë për t’i rehabilituar dhe për t’ia shtuar liqenit, për të pasur një hyrje shumë më dinjitoze. I durova një herë, dy herë, tre herë, por dje nuk m’u durua kështu që, u desh të reagoja sepse e pashë që gjithë dhëndurët dhe kunetërit e atyre që ranë nga vakti, ishin shumë të shqetësuar se çfarë po ndodh me Gardën. Shumë e thjeshtë: Garda do t’i kthehet qytetarëve. Më vjen keq që u anuluan ndërtimet e tyre, por ishin të paligjshme, ishin në territor të Gardës dhe qeveria dhe bashkia që punonte vetëm për një familje, për një palë dhëndurësh dhe për një palë kunetërish, me vote, u largua nga Bashkia e Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Gjithashtu, Veliaj dha lajmin e shumë pritur për shumë nxënës dhe prindër të Njësisë 5 për ndërtimin e një shkolle të re në afërsi të Parkut Olimpik.

Shumë shpejt, një nga shkollat e reja që do bëhet në këtë njësi, për të amortizuar fluksin e madh që kemi me nxënës, do të jetë pas Parkut Olimpik.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat periferike të Njësisë 5 dhe në zonat e ish-komunës Farkë që të regjistrohen në Lagjen e re Nr. 13.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës mbështeti vendimin e qeverisë për të ndalur llotot dhe kazinotë, si një vendim që shkon për të gjithë familjet shqiptare, përfshi edhe ato të Tiranës.

Një nga vendimet më të mira që ka marrë qeveria jonë është vendimi që në datën 1 janar të mos ketë më pika bastesh dhe bingosh e kazinosh në Shqipëri. Një mënyrë e shkëlqyer jo vetëm për të hequr këto fonde nga duart e kriminelëve, por edhe për t’u thënë disa burrave në Shqipëri: Ej, kthehuni në shtëpi, tek gratë e fëmijët tuaj, kaloni kohë me familjen tuaj! Më shumë se kurrë, sot qeveria jonë ka nevojë për një mbështetje popullore, masive, përtej bindjeve tona dhe partisë sonë. Kjo është një fushatë dhe kjo është një nismë që shkon përtej PS. Ky vendim i PS është vendimi më i mirë dhe meriton të gjithë bekimin dhe mbështetjen tonë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ai përshëndeti edhe aksionin më të fundit të Policisë Shtetit për goditjen e grupeve kriminale në vend.

Aksioni i fundjavës i Policisë së Shtetit meriton duartrokitjen dhe falenderimin tonë. Djem e vajza të përkushtuar në Policinë e Shtetit, kanë kryer një operacion për të sjellë nën kontroll ata që ndoshta konsideroheshin të paprekshëm, ata të fortët që ndoshta nuk guxonte t’i ndalonte njeri. Mesazhi që u dha këtë fundjavë është se nuk ka të paprekshëm, as në Tiranë, as në Sarandë, as në Shkodër, ndaj meriton gjithë inkurajimin tonë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ai theksoi se falë punës së policisë dhe gjitha organeve të tjera ligjzbatuese, por edhe të strukturave të pushtetit vendor edhe Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë. 

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë 5, Veliaj renditi një sërë investimesh të rëndësishme që ka njohur kjo njësi në infrastrukturë, sikur janë: rikonstruksion i infrastrukturës rrugore të bllokut të kufizuar nga Rr. "Mentor Xhemali", Rr. "Hajdar Tafa", Rr. "Qemal Butka" dhe Rr. "Frang Bardhi" në Selitë, rikonsturksioni i urës në rrugën “Irfan Tomini”, rehabilitim i urës së këmbësorëve mbi Lanë tek ish-ekspozita. Ndërkohë për të lehtësuar qarkullimin dhe lidhjen me pjesën tjetër të Tiranës, mbi lumin Lanma do të ndërtohen edhe dy ura të tjera. Ndërkohë, Bashkia ka rikonstruktuar rrugën e Kosovarëve,  "Rrugën e Zallit" në Selitë, rikonstruktuar bllokun e pallateve “Selitë” që prek zonën ndërmjet rrugëve ”Ilia Dilo Sheperi”; ”Niko Hoxha”,“Valentina Pistoli”; “Leka i Madh”; ”Hamdi Pepa”; “Vangjel Koça”. Është ndërhyrë edhe në bllokun që kufizohet nga rrugët: “Sulejman Delvina”, “Medar Shtylla”, “Skender Luarasi”, “Grigor Heba”; “Gjik Kuqali” (Zona nga ish Shushica – te Komuna Parisit) si dhe rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar  nga Rr."Ibrahim Rugova",  Rr."Pjetër Bogdani",  Rr. "Gjin Bue Shpata", BLV "Bajram Curri" si dhe është kryer asfaltimi i 164 rrugëve të Njësinë 5. 

Një punë e madhe është bërë edhe për rikonstruksionin në 5 kopshte, 2 çerdhe, 3 shkolla si dhe është ndërtuar edhe një çerdhe e re. Në kuadër të projektit, “Luaj Tirana”, janë nën dispozicion të banorëve të kësaj Njësie 5 sheshe çlodhëse, të pajisura edhe me kënde lojërash, si dhe disa të tjerë janë në ndërtim e sipër.

Deputeti i PS në Njësinë 5, Pandeli Majko vlerësoi punën e realizuar në këto tre vite nga Bashkia e Tiranës, një ndryshim që më parë as nuk mund të mendohej dhe sot është i prekshëm nga të gjithë qytetarët. Majko nënvizoi se sot në Njësinë 5 diskutohet jo thjesht për ndryshim, por është duke u ndërtuar një model, i cili ngjall shpresë se gjërat do bëhen më mirë edhe te zonat e tjera. 

Njësia 5 është qyteti i dytë pas Tiranës për hapësirën dhe numrin e popullsisë. Ky qytet i dytë ka qenë në harresë për një arsyen e thjeshtë se nuk votonte alternativë tjetër veç të majtës. Kur Erioni filloi punën në bashki, të jem i sinqertë, unë nuk isha shumë i përgatitur se gjërat do të ecnin aq shpejt sa ecën. Sot në Njësinë 5 realisht mund të diskutojmë jo thjesht për ndryshim, por jemi duke ndërtuar një model i cili ngjall shpresë se gjërat do bëhen më mirë edhe te zonat ku nuk është investuar ende. Sot gjithsecili arrin të kuptojë çfarë ka ndodhur dhe çfarë është ndryshuar sidomos në Njësinë 5.

Deputeti i PS në Njësinë 5, Pandeli Majko

Deputetja dhe kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti vlerësoi se besimi i dhënë prej qytetarëve në 2015 dhe në vitin 2017 është kthyer në punë konkrete nga kryebashkiaku Veliaj dhe nga qeveria. Gjylameti theksoi se investimet do të prekin edhe zonat e tjera, jo vetëm të Njësisë 5, por edhe zona të tjera të kryeqytetit.

Kjo është mënyra me e mirë që secili prej nesh shpreh me forcën e votës besimin që ka tek ata që kanë vizionin dhe ata që kthejnë besimin e dhënë ndaj votuesit në vëmendje maksimale ndaj nevojave të komunitetit. Në 2017 erdhëm tek ju dhe kërkuam votë vetëm në një sigël, nuk kërkuam votë as në koalicion, as në bashkëqeverisje me parti të tjera, por në bashkëqeverisje me qytetarin. Na e dhatë besimin dhe besimi ishte maksimal, se për herë të parë ne morëm jo vetëm 74 mandate, por 74 arsye më shumë për t’iu krijuar qytetarëve më shumë mundësi. Në 2015 e mbështetëm fort Erionin, për shkak të vizionit të tij për ta ndryshuar Tiranën, dhe mjafton të shohim ku jemi sot këtu, edhe në Njësinë 5, besimi i dhënë na u kthye në investime. Të gjitha blloqet e banimit janë prekur. Besimin që ai e mori e ktheu në punë konkrete. Ne do vazhdojmë kështu nga Njësia 5, cep e më cep Tiranës, dhe do t’ia dalim së bashku.

Deputetja dhe kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilo: 22/10/2018 21:50

    Po ky budallai do ca vota mangut te ja linte "dopigjashten" ne dore te KM

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit