Me vendim të Këshillit të Ministrave në mbledhjen e radhës të mbajtur ditën e sotme (13 Dhjetor) është miratuar krijimi, organizimi dhe funksionimi i Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”.
Ky vendi është marrë në kuadër të ligjit për “zonat e mbrojtura”, mbështetur tek ai për “administratën shtetërore”, i propozuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
E quajtur ndryshe edhe ZAPK Vjosë, do të ketë institucionin e saj me zyra dhe administratë, në varësi të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së linjës, ku emërimet vijnë direkt nga Kryeministria.
Selia e saj do të jetë në Tepelenë dhe do jetë sektor buxhetor në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
ZAPK-ja Vjosë drejtohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit. Drejtori emërohet, lirohet dhe shkarkohet po nga ministri, teksa duhet të plotësojë edhe një listë me 7 kritere.
Ai lirohet apo shkarkohet nga detyra në 9 raste të përcaktuara në këtë vendim, si kur dënohet me formë të prerë, kryen shkelje të rënda, nuk përmbush objektivat, s’ka performancë, lirohet kur mbush moshën e pensionit, deklarohet i paaftë, ka konflikt interesi, jep dorëheqjen apo rikonstruktohet institucioni.
“ZAPK-ja Vjosë financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i ZAPK-së Vjosë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura. ZAPK-ja Vjosë siguron të ardhura edhe nga shërbimet e kryera prej saj ndaj palëve të tjera dhe tarifat e të cilave përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi për tarifat në zonat e mbrojtura”, thuhet në vendim.
Të ardhurat që do mblidhen do derdhen në buxhetin e shtetit, për çdo aktivitet që do zhvillohet në këtë territor të sigluar tashmë me hartë si Park Kombëtar i Lumit Vjosë.
Misioni kryesor i zyrës është ruajtja e Parkut Kombëtar, në bashkëpunim me institucionet e tjera qendrore dhe lokale.
Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” ka përgjegjësi të organizojë punën për: hartimin dhe zbatimin e planit të menaxhimit, projekteve restauruese dhe konservuese, projekteve kërkimore-shkencore, kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes dhe punimeve me karakter restaurues e konservues, në funksion të masave ruajtëse dhe mbrojtëse në zonat e mbrojtura, që ka në administrim.
Gjithashtu mbikëqyrjen e efekteve mjedisore të çdo ndërhyrjeje apo zhvillimi të propozuar, brenda territorit gjeografik të Parkut Kombëtar, koordinimin e punës me institucionet e administratës publike, në nivel qendror dhe vendor, partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e standardeve dhe aktiviteteve të planit të menaxhimit dhe në fund edukimin mjedisor, promovimin dhe ruajtjen e mbrojtjen e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”.
Gjithashtu përcaktohen edhe detyrat e zyrës, misioni i saj dhe bashkëpunimi.
“ZAPK-ja ndjek porositë e dhëna nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e projekteve dhe legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura dhe është anëtare e komiteteve të menaxhimit të zonave të mbrojtura për qarqet Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë”, thuhet në vendim.
Struktura dhe organika e ZAPK-së Vjosë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Rregullorja për metodat e brendshme të punës miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të saj.
ZAPK-ja Vjosë ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare.
“Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria (emri i ministrisë përgjegjëse), Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës””, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë”, citohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.