TIRANE- Krerët e bashkive kryesore në vend theksuan dje se duhet ndryshuar formula e zgjedhjeve vendore. Kryetari i shoqatës së autonomisë së Pushtetit Vendor, Artan Shkëmbi u pyet dje nga deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, lidhur me mënyrën se si do të përcaktohen këshillat bashkiak. Shkëmbi theksoi se formula nga mazhoritar që është për kryetarin e bashkisë të bëhet në proporcionali ku emrat e anëtarëve të këshillit bashkiak të zgjidhen njëherësh bashkë me kryetarin në mënyrë që të mos krijohen bllokime në këshillat bashkiak.

Lidhur me reduktimin e komunave, Shkëmbi tha se në zonat e mëparshme duhet të vendosen zona shërbimi. Pra atje ku kanë janë sot zyrat e komunave, do të vendosen zyra shërbimi ku personat që do të punojnë aty do të jenë të zgjedhur nga vetë kryetari i njësisë vendore dhe jo nga vota.

Minoritetet
Lidhur me minoritetet, krerët e njësive vendore dolën kundër propozimit të qeverisë që ato të mbeten të pandryshuara. Konkretisht sipas kreut të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, këto zona duhet të përfshihen brenda bashkisë së madhe pasi shpërndarja e shërbimeve dhe parave për një bashki të vogël nuk është e barabartë me bashkinë e madhe. Kësisoj ai theksoi se këto njësi vendore duhet të përfshihen brenda bashkisë së madhe, por të kenë administrator të cilët të jenë nga zonat minoritare.

Shkrimi u publikua sot 30 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)