ITALI - Venezia ka zyrtarizuar rikthimin në Serie A pas vetëm një sezoni në Serie B, duke kurorëzuar një kampionat për t'u marrë shembull nën drejtimin e trajnerit Giovanni Stroppa.

Ngjitja direkte u sigurua në javën e 37-të, pas barazimit 2-2 ndaj Spezias (të premten) dhe humbjes së Monzas, rezultate që e çuan skuadrën në kuotën e 79 pikëve në krye të renditjes, me një diferencë prej 4 pikësh nga vendi i tretë.

Për trajnerin Giovanni Stroppa ky sukses përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme personale, në të njëjtin stadium ku më parë kishte festuar ngjitjen në elitë me Cremonesen.

Sezoni i Venezia u karakterizua nga një dominim i qartë, me 23 fitore dhe vetëm 4 humbje. Skuadra u mbështet te sulmi më i mirë i kampionatit me 74 gola të realizuar dhe mbrojtja e dytë më solide me vetëm 31 gola të pësuar, duke reflektuar një identitet të fortë loje me skemën 3-5-2.

Frosinone është gjithashtu afër ngjitjes në elitë, pas fitores 1-0 ndaj Juve Stabias që do të thotë se u duhet vetëm një pikë në javën e fundit për të siguruar matematikisht rikthimin në Serie A.