VENEZUELË - Nicolas Maduro është betuar si president i përkohshëm i Venezuelës duke marrë drejtimin e vendit pas funeralit shtetëror të ish-presidentit Hugo Chavez, i cili ndërroi jetë më 5 mars si pasojë e sëmundjes me kancer.

Maduro është betuar para Asamblesë Kombëtare në kryeqytetin e Venezuelës në Caracas dhe tha se ka kërkuar nga autoriteti zgjedhor i Venezuelës që të thërrasë zgjedhjet presidenciale sa më parë që të jetë e mundur.  Ai është zotuar se do të ruajë trashëgiminë e Hugo Chavezit dhe ka theksuar se do të na mungojë deri në ditën e fundit të jetës sonë.

Betimi i Maduros është cilësuar si shkelje e kushtetutës nga ana e opozitës duke thënë detyrën e presidentit deri në zgjedhje të reja, do të duhej ta merrte kryetari i parlamentit.

Maduro ka qenë zëvëndëspresidenti dhe një këshilltar besnik i Chavezit i cili e ka emëruar si pasardhës të preferuar të tij para se të vdiste.
Gjithashtu Maduro pritet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen së shpejti.

Redaksia online
(l.ç/ar.sh/shqiptarja.com)