/ATSH-Gjergji Mima/ -Xhudistja kampione e botës, Majlinda Kelmendi u nderua në Lubjanë me një ceremoni, nën kujdesin e veprimtarit shqiptar Nusret Jashari. Kjo veprimtari përkonte me 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Të pranishëm ishin drejtues e përfaqësues të shoqatave shqiptare në Slloveni, sportistë shqiptarë me banim në Slloveni dhe përfaqësues të ambasadave të Kosovës e të Shqipërisë.
Pjesëmarrësit shprehën urimet më të ngrohta për pavarësinë e Kosovës. Njëherazi ata vlerësuan arritjet e larta në sportin e xhudos nga sportistja Majlinda Kelmendi, duke e emërtuar atë si nderi dhe krenaria e Kosovës dhe kombit shqiptar. Të pranishmit i përshëndetën edhe ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Studio "Nusi" i dorëzoi xhudistes Majlinda Kelmendi çertifikatë vlerësimi. Certifikatë vlerësimi për xhudisten dorëzoi edhe shoqata "Iliria", Koper. Në "Mirënjohjen" dhënë nga Ambasada e Shqipërisë për xhudisten, kampione bote, Majlinda Kelmendi shkruhet: "Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovenisë uron dhe përgëzon xhudisten Majlinda Kelmendi për arritjet e shkëlqyera në fushën e sportit. Majlinda është krenari e sportit kosovar, është ambasadorja më e mirë e Kosovës dhe e shqiptarëve në mbarë botën. Majlinda është nderi dhe krenaria e kombit shqiptar. Majlinda Kelmendi rrezaton imazhin më të mirë të shqiptarëve në botë!".

Majlinda Kelmendi shprehu mirënjohje dhe falenderoi organizatorët. Ajo e quajti këtë ngjarje si një dhuratë e kujtim të bukur të jetës e të aktivitetit së saj sportiv. Në aktivitet, përshëndeti gjithashtu edhe trajneri i xhudistes Driton Kuka.