PRISHTINË, 8 Maj/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot, Agim Shahinin, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, si dhe përfaqësues të disa kompanive prodhuese të njohura vendore.
Shahini paraqiti misionin, gjendjen dhe sfidat e Aleancës Kosovare të Biznesit. Ata e njohën kryetarin Veseli me procedurat e zgjedhjeve të fundit në nivelin lokal, rajonal dhe qendror të AKB-së.
Në takim u fol për situatën e të bërit biznes në vend, tatimet, konkurrencën, çështjen e doganave, lirimin nga TVSH-ja, energjinë si dhe problematikën që ndesh prodhuesi vendor, kompanitë vendore, si dhe perspektivën e krijimit të vendeve të reja të punës.
Veseli premtoi mbështetjen e plotë institucionale për ekonominë dhe asociacionet profesionale që organizojnë, promovojnë dhe mbrojnë interesat e biznesit, duke theksuar se ekonomia në parlament do të ketë prioritet të lartë.
"Do të mbështes iniciativat tuaja që të jeni çdo ditë në Kuvend dhe afër hartimit të ligjeve që lehtësojnë punën e biznesit vendor, të keni ndikimin e merituar për zhvillimin e vendit. Prania e çështjes së zhvillimit ekonomik në çdo seancë plenare do të jetë e mirëpritur. Kontribuoni që të hiqen pengesat që frenojnë punësimin dhe iniciativën private, investimet në vend, prodhimin vendor dhe punësimin e të rinjve tanë", tha Veseli.
Kryekuvendari Veseli i inkurajoi të pranishmit që së bashku me asociacionet tjera që merren me promovimin e biznesit të krijojnë prioritetet dhe ato t'i parashtrojnë në Kuvend, me qëllim lehtësimin e të bërit biznes, lehtësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investitorëve.
Shahini i dorëzoi kryetarit Veseli analizën vjetore të AKB-së për profilet e profesioneve të kërkuara dhe profesionet që kërkojnë punë, botim ky që është në shërbim edhe të institucioneve për të planifikuar orientimin e aftësimit profesional. AKB përfaqëson mbi 10500 kompani nga të gjitha komunat e Kosovës./m.m/












