PRISHTINË,  9 Shkurt /ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për punën që e pret Kuvendin gjatë këtij viti dhe për zhvillimet aktuale në vend.
Temë kryesore e këtij takimi ishte axhenda legjislative e Kuvendit për vitin 2015, përkatësisht ligjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli konfirmoi se Kuvendi do të përpiqet ta kryejë funksionin e tij legjislativ konform nevojave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë që lidhet me procesin e integrimit evropian, duke trajtuar me prioritet ligje e kësaj natyre. Për kete, kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për ta thelluar koordinimin me mekanizmat e tjerë relevantë.
Në takim i bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë, migrimin e qytetarëve të Kosovës, për të cilin të dy bashkëbiseduesit ndanë shqetësimet e tyre./b.j//a.ke/