Rreth 50 vespistë nga Shqipëria janë nisur nga Tirana drejt Prishtinës për të marrë pjesë në Vespa Festival Prishtina 2026, i cili zhvillohet më 5 dhe 6 shtator në Sheshin Skënderbeu.

Ky është edicioni i dhjetë i festivalit ndërkombëtar, që këtë vit mbledh mbi 300 vespistë nga më shumë se dhjetë shtete të botës.

Shpëtim Hametaj, president i Vespa Club Tirana dhe pjesëmarrës në të gjitha edicionet e festivalit, thotë se krahas vespistëve nga vende të ndryshme të Evropës, në këtë aktivitet marrin pjesë edhe vespistë nga të gjitha trojet shqiptare.

Vitet e fundit, Vespa po përdoret gjithnjë e më shumë jo vetëm si mjet lëvizjeje, por edhe për udhëtime turistike, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Për presidentin e Vespa Club Tirana, festivali i Prishtinës është më shumë se një takim mes të apasionuarve pas kësaj motoçiklete. Ai është edhe një mundësi për të udhëtuar, për të njohur kultura të reja dhe për të shijuar bukuritë natyrore të Shqipërisë, Kosovës, por edhe të vendeve ku organizohen festivale ndërkombëtare të Vespës.

Vespa Festival Prishtina 2026, i organizuar nga Vespa Fanatics Prishtina, ka sjellë në kryeqytetin e Kosovës mbi 300 vespistë nga më shumë se dhjetë shtete, mes tyre Shqipëria, Italia, Greqia, Gjermania, Turqia dhe Meksika.