Vetëm 7 minuta Kuvend, "dështon"
zgjedhja e kryetarit të Parlamentit

Vetëm 7 minuta Kuvend, "dështon"<br />zgjedhja e kryetarit të Parlamentit
PRISHTINË- Ka dështuar propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës, për kandidaturën e Arsim Bajramit për kryetar të Kuvendit, pasi blloku opozitar AAK-LDK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë votuar kundër këtij propozimi. 

Në seancën e sotme të Konstituimit të Kuvendit, e cila ka zgjatur rreth 7 minuta, nënkryetari i PDK Hajredin Kuçi ka propozuar emrin e Bajramit për kryetar Kuvendi, duke e cilësuar atë si një personalitet i cili ka dhënë kontribute në krijimin e shtetit të Kosovës.

Megjithatë propozimi i emrit të Bajramit është hedhur në votim ku 61 deputetë kanë votuar kundër, 44 pro dhe 11 abstenim, duke e rrëzuar kështu propozimin në fjalë.
Ndërkohë menjëherë pas votimit, kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina, ka njoftuar ndërprerjen e seancës parlamentare.

“Kandidati nuk mori votat e mjaftueshme, për t’u shpall kryetar të Kuvendit. Prandaj, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë” tha Brovina

Në seancën e sotme të Konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ishin prezentë shumica e deputetëve, ndërs mungonte kreu i NISMA-S Fatmir Limaj pasi ndodhet në seancë gjyqësore, në çështjen ndaj ti i akuzuar për krime lufte.

kuvendi i kosoves
(Në foto: Kuvendi i Kosovës, pas vendimit për ndërprerjen e seancës)

Mustafa: PDK po mban peng Kuvendin
Ndërkaq menjëherë pas vendimit të Brovinës për ndërprerjen e seancës ka reaguar lideri i LDK dhe kandidati kryesor i bllokut opozitar për kryetar Kuvendi, Isa Mustafa duke u shprehu se nëse Brovina nuk e thërret seancën, atëherë koalicioni ka gjithë të drejtën kushtetuese për të vepruar.

Sipas Mustafës, PDK me anë të kryesuese Brovina po mban peng konstituimin e Kuvendit. Kryetari i LDK’së në konferencë deklaroi se askush nuk ka të drejtë ta mbaj peng Kuvendin.

“PDK nuk e ka shumicën dhe kjo mund të zgjas edhe katër vjet. Sot ishim dëshmitarë se PDK po e mban peng Kuvendin. Koalicion LDK AAK Nisma- VV e kemi shumicën.” tha Mustafa

Kurti: Ndërprerja e seancës, jo-korrekte!
I të njëjtit dretim ka qenë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili tha se ndërprerja e seancës ishte jo-korrekte, duke shtuar se tashmë 61 votat për formimin e qeverisë, i ka koalicioni qeveritar.

"Konstatojmë dështimin e PDK’së për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. Sot shumica absolute i ka 61 deputetë, Ndërprerja e seancës ishte jo-korrekte” tha Albin Kurti

Nis seanca e konstituimit të Kuvendit
Ka nisur rreth orës 10:00 seanca parlamentare e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku e vetmja pikë në rendin e ditës është "Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit".

Deputetët e të gjitha forcave politike janë pjesëmarrës në seancë, si dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA në Prishtinë, veç Fatmir Limajt, i cili është në senacën gjyqësore ndaj tij i akuzuar për krime lufte. Në garën për kryetar të Kuvendit, do të garojnë kandidati zyrtar i PDK Arsim Bajrami, ndërsa Isa Mustafa do të jetë kandidati i koalicionit LDK-AAK-Nisma-Vetëvendosje. 

deputetet e kosoves
(Në foto: Deputetët e Kosovës gjatë mbërritjes në Kuvend)

deputetet e kosoves
(Në foto: Përfaqësues të ambasadës së SHBA-së gjatë mbërritjes në Kuvend)


Seanca konstituive e Kuvendit sot në orën 10:00, dy muaj pas nisjes
Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e Legjislaturës së pestë, të zgjedhjeve të 8 qershorit, e nisur në 17 korrik, vazhdon pas dy muajsh, sot duke nisur nga ora 10:00, me të vetmen pikë të rendit të ditës "Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit", ashtu siç ishte paralajmëruar për 12 shtator, por ishte shtyrë.
 
Shtyrja e kërkuar nga Lista Serbe u bë në 11 shtator, pas një takimi konsultativ të kryesueses së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, me nëntë subjekte politike të Kuvendit të Kosovës (PDK dhe tetë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë).
 
Një nga zhvillimet e djeshme para seancës së sotme ishte takimi përgatitor i liderëve të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që së bashku kanë 63 deputetë në Kuvendin 120 anëtarësh. Por, sot në Kuvendin e Kosovës mund të mungojë lideri i Nismës, deputeti Fatmir Limaj, për shkak se në Gjykatën e Apelit vazhdon seanca për rastin "Kleçka", në të njëjtën orë.
 
Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me 37 deputetë duket se mund ta ketë një më pak pasi Gëzim Kelmendi i Partisë së Drejtësisë ka paralajmëruar largimin nga ky grup parlamentar. Mbetet të shihet, pas deklaratave të ndryshme, nga do të shkojë përkrahja e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë - 9 të Listës Serbe. Kjo listë është deklaruar kundër koalicionit me Vetëvendosjen.
 
PDK ka vendosur që kandidat i saj dhe koalicionit parazgjedhor për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë Arsim Bajrami, si kandidaturë e vetme.
Kandidati i koalicionit paszgjedhor vazhdon të jetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zgjedhja e të cilit në 17 korrik me 65 vota pro dhe 18 abstenime është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
 
Në seancën konstituive të Kuvendit në 17 korrik koalicioni parazgjedhor i PDK për Kryeparlamentar propozoi një kandidat tjetër, Agim Aliun, ish-kryetarin e komunës së Ferizajt, por nuk u arrit të votohej në mungesë kuorumi.
 
Mungesa e kuorumit u shkaktua kur deputetët e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, të Vetëvendosjes, etj, dolën nga salla e seancës pasi kryesuesja po nxirrte në votim kandidatin e propozuar nga PDK, Aliun.
 
Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, nga PDK, ndërpreu seancën, pasi konstatoi se "nga 120 deputetë, 47 janë të pranishëm".
 
Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të publikuar në 26 gusht, zhvillimet e seancës deri në përmbyllje nga kryesuesja, të pjesës ku deputetët kishin dhënë betimin pasi kishin miratuar Raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, të cilin fillimisht e kishin zgjedhur, me 117 vota pro, nuk janë anuluar, ndërsa janë anuluar vetëm zhvillimet e pas kthimit në sallë të 83 deputetëve, të cilët zgjodhën Kryeparlamentar kandidatin e koalicionit paszgjedhor. /ATSH/

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje