1.3 ton hashash
Dje u kapën rreth 1.3 ton hashash, në Vlorë, Gjirokastër, Sarandë dhe Itali. Para 1 dite në Tiranë dhe Vlorë u kap 1 ton. Dje, policia e Gjirokastrës njoftoi sekuestrimin e 400 kg mariuanë në një furgon me targa vlore i cili po lëvizte në aksin Gjirokastër-Subash. Furgoni sapo doli nga Lazarati. Vetëm disa orë më vonë u kap në Vlorë rreth 700 kilogramë drogë, në një gomone të braktisur, 7 metra, në gjirin e Arushës në Karaburun. Hashashi ishte e ndarë në 25 çanta, gati për shitje në Itali.
Rreth 200 kilogramë kanabis sativa u kap nga Policia e Sarandës, në aksin rrugor Pllakë-Sorone, në vendin e quajtur Qafa e Soronesë,ku u arrestua Fatmir Jasharri, 41 vjeç, banues në Sarandë. Nga kontrolli në automjetin “Mercedes-Benz 190”, me targa SR 2757 B, përveç drogës iu gjet edhe një kallashnikov, tritol, kapsolla, etj. Në Bari u kapën 40 kg hashash, që mendohet se erdhi nga Shqipëria si dhe në Vareze u zbulua një grup shqiptarësh që furnizonte studentët me të gjitha llojet e drogës, ku hashashin e sillnin nga Shqipëria.
Pikat ku “flenë” 720 ton
Thuajse e gjithë vëmendja është përqendruar në daljet nga Lazarati të pakove të mbështjella me natriban, ku mendohet se mbi 300 ton hashash është përpunuar dhe paketuar nga punëtorët e paguar nga trafikantët dhe tashmë po realizohen shitjet miliona euroshe. Mirëpo, burime pranë Policisë së Shtetit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se Lazarati i vërtetë është vetë Tirana e më konkretisht rrethinat e saj, ku spikat Zall-Bastari (mbi gjysmë ton u kap këto ditë atje), Shëngjergji, Baldushku dhe zonat pranë Malit të Dajtit e ato në kufi me Krujën. Në të gjitha rastet e zbuluara apo momentalisht në hetim, rezulton se kultivues janë vetë fshatarët e zonave.
Mbi 100 ton mendohet se janë paketuar në këto zona. Burimet policore shtojnë se “Nëse ngjitemi më lart, në Veri të vendit, kamerat me rreze infra të kuqe të avionëve të patrullave, pulsojnë sidomos në Krujë, Pukë dhe Shkodër apo Malësinë e Madhe”. Edhe Kukësi apo Tropoja janë rrethuar me të kuqe nga policia. Në total, në Veri mendohet se ka gati për shitje rreth 120 ton hashash. Të nisur nga përqendrimi i vëmendjes në Jug të vendit, kultivuesit e hashashit e kanë postuar vrullin e tyre në pika të thella fshatare të Veriut, ku ka bimësi të dendur. Cilësia e drogës që prodhohet atje s është e para, por gjithçka kompensohet me çmimin pak më të ulët (me më pak se 200 mijë lekë shitet një kg hashash në Veri). Një zonë që ka marrë tepër zhvillim në kultivimin e hashashit është lumi i Vlorës, ku këto 3 vitet e fundit, ka pasur prodhime masive dhe sekuestrime të vaktëta, ç’ka tregon se trafikantët i kanë gjetur rrugët e tyre të mbjelljes pa shqetësim, rritjes, korrjes e shitjes së mallit.
Zonat e thella të Vlorës dhe Tepelenës, njihen prej ekspertëve të policisë si kultivues të hashashit, ndërsa edhe Saranda ka pasur kapacitete për kultivimin e kësaj droge, pasi edhe vetë trafikantët janë me nam evropian, përsa i përket ashpërsisë nëse diçka nuk shkon siç duhet. Blerësit e hashashit të Jugut të Shqipërisë (dyshohet se ka mbi 500 ton) janë kryesisht italianët dhe grekët, ku një kg shitet me mbi 200 euro. Në total “malli” mendohet se kushton 200 milionë euro. Verën e këtij viti, në Shqipëri, u fotografuan 500 plantacione hashashi, rreth 1 mijë ton.
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)