Nuk ka qetësi për Tiranën. Klubit kryeqytetas i është bllokuar sërish merkato nga FIFA pak dit pasi rregjistroi blerjet e verës.

Më 16 shtator FIFA ka marrë vendimin për të bllokuar merkaton e Tiranës me 3 sesione kalimtare për shkak të detyrimeve të prapambetura, ndërsa ende nuk dihet me saktësi se për çfarë çështje bëhet fjalë.

Tirana e kaloi verën me ankthin nëse do të ishte gati për ndeshjen e parë të sezonit, por që nuk ia doli. Për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj ish-trajnerit Roberto Bordin, blerjet e bëra në verë, nuk u rregjistruan në kohë te Tirana dhe skuadra bëri një paraqitje zhgënjyese. Mirëpo sa po zgjidhet ky problem një tjetër është në horizont për Tiranën.

Tani bardheblutë duhet të mendojnë për merkaton e janari, që të hiqet penalizimi deri në atë afat. Ndërkohë të dielën Tirana do të luajë për javën e 5 të Superligës kundër Elbasanit. Një duel që ndjehet shumë nga dy tifozëritë.