Bashkia e Tiranës, së bashku me shoqatat e Veteranëve dhe Dëshmorëve kanë përkujtuar sot masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944.

Nënkryetari i bashkisë Andi Seferi, së bashku me deputetët Ervin Bushati dhe Spartak Braho, në prani edhe të një grupi veteranësh dhe familjarësh të dëshmorëve të rënë kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të të vrarëve.

Ai tha se në përkujtim të dëshmorëve të rënë në këtë ngjarje është propozuar që të ngrihet edhe një memorial në rrugën “4 Dëshmorët” në Tiranë. 

“Do të doja të shprehja dakordësinë në emër të Bashkisë Tiranë, për propozimin e deputetit Bushati në emër të grupit të PS, që, krahas emërtimit të rrugës “4 Dëshmorët”, të vendoset edhe një monument për të kujtuar këtë ditë”, u shpreh Seferi.

Deputeti Ervin Bushati tha se edhe në këtë ngjarje të trishtë, shqiptarët treguan që ishin në anën e duhur të historisë.

“Është një nga ato rastet që na bën krenarë, sepse na kujton që në luftën ndaj nazifashizmit shqiptarët kanë qenë bashkë dhe në Shqipëri krimet njësoj si në Borovë, ashtu edhe në Tiranë, tregojnë që Shqipëria ishte në anën e duhur të historisë,” u shpreh Bushati.

Deputeti Braho, anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë, tha se autorët e kësaj masakre i dënoi historia.

“Këtu u vranë 84 qytetarë të pafajshëm të Tiranës, gjë e cila nuk duhet harruar asnjëherë. Ata që i vranë morën dënimin e historisë, por pinjollët e tyre janë akoma nëpër këmbë. Është Sali Berisha akoma gjallë që e nxit dhe përfiton. Ne duhet të jemi vigjilentë,” u shpreh Braho.

Pushtuesit nazistë me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre, organizuan një sërë masakrash në vitet 1943 - ’44 në Shqipëri, ndër të cilat, më e madhja dhe më tronditësja ishte masakra e Borovës, ku u masakruan 106 burra, gra dhe fëmijë, por më çnjerëzorja dhe më hakmarrësja ishte masakra e 4 Shkurtit të vitit 1944 në Tiranë.