PRISHTINË, 19 Janar/ATSH/.- Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, që mos të bien pre e presioneve të Serbisë, por të aprovojnë ligjin me të cilin "Trepçës" i hapet një perspektivë e re sa i përket zhvillimit ekonomik.
Sipas KosovaPress, përmes një komunikate për media, kjo organizatë ka mbështetur kërkesat e minatorëve të Trepçës, që ligji për "Trepçën", të mos shtyhet, por të aprovohet menjëherë.
"Dihet se Serbia nuk ia dëshiron të mirën "Trepçës", Kosovës dhe popullit shqiptar, dhe këtë e ka dëshmuar me krimet që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë. "Trepça është pronë e Kosovës, e qytetarëve të saj, ndaj për "Trepçën", duhet të vendosin vetëm institucionet e Kosovës, menaxhmenti i Trepçës dhe minatorët e saj", thuhet në deklaratë.
"Trepça", është pasuria kombëtare e Kosovës dhe Kosova duhet të udhëheq me këtë gjigand ekonomik.
Veteranët e UÇK-së, konsiderojnë se "Trepça" ka qenë dhe është e Kosovës, do të mbetet gjithmonë e popullit të saj dhe në asnjë mënyrë, me asnjë çmim nuk do të lejojmë që në "Trepçë", të përzihen hordhitë serbe të Beogradit. Ndërkaq Serbia duhet të përgjigjet për krimet që ka bërë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, por edhe për krimet ekonomike që i ka bërë në Kosovë", thuhet mes tjerash në komunikatë, të nënshkruar nga kryetari i OVL e UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi.
Veteranëve të Mitrovicës në përkrahje u kanë dalë edhe veteranët e UÇK-së në Pejë./m.m/