Vettingu drejt finalizimit
dy skenarët për votimin

Vettingu drejt finalizimit<br />dy skenarët për votimin
Komisionet parlamentare po avancojnë me shpejtësi, për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët do të kalojnë për votim në Parlament, për t’u bërë pjesë e organeve të Vetingut.

Pas seancave dëgjimore me kandidatët, komisionet parlamentare, javën e ardhshme, pritet të votojnë kandidatët, të cilët do të miratohen nga Parlamenti, për t’i hapur rrugë kontrollit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.

Por, në mungesë të konsensusit politik, Partia Socialiste duhet të sigurojë 84 vota për të mundësuar miratimin në bllok të të gjithë kandidatëve që do të bëjnë Vetingun. Në të kundërt, lista, nëse nuk merr 84 vota, rrëzohet. Për rrjedhojë procesi duhet të nisë nga fillimi, ku lista e dytë mund të rrëzohet vetëm nëse votojnë kundra 93 deputetë të Kuvendit. Ndërkaq, ligjit nuk e përjashton mundësinë e rizgjedhjes së të njëjtëve kandidatë, të përfshirë në listën e parë.

Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të votuar nga komisionet ad hoc. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve.

Komisionet ad hoc të përzgjedhjes zbatojnë rregullat e parashikuara si në procesion e parë. Ndërkaq, Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij.

Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Në rast se lista rrëzohet nga Kuvendi, ngarkohen organet e parashikuara në këtë ligj të fillojnë procedurat për plotësimin e vendeve vakante, duke respektuar procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj.

Procedura e votimit nga komisionet bëhet nëpërmjet një sistemi elektronik që mundëson votimin e fshehtë, ku secili anëtar voton për një kandidat. Secili prej anëtarëve të komisionit ad hoc të përzgjedhjes me 6 anëtarë përzgjedh nga lista e kandidatëve për votim një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Apelimit, pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton vetëm për një kandidat.

Anëtarët e komisionit ad hoc marrin pjesë në të gjitha raundet e votimit deri në zgjedhjen përfundimtare të gjashtë gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit. Çdo anëtar i komisionit ad hoc duhet të votojë, në të kundërt Kuvendi zgjedh anëtarin e ri të komisionit ad hoc, duke respektuar përkatësinë e tij në grupet parlamentare, brenda 3 ditëve.

Komisioni ad hoc më pas përzgjedh gjyqtarin e shtatë nga kandidatët e mbetur të listës së kandidatëve përmes një votimi të thjeshtë, të fshehtë elektronik, ku kandidati me më shumë vota quhet i përzgjedhur. Të njëjtën procedurë ndjek edhe komisioni ad hoc me 12 anëtarë.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, brenda dy ditëve nga përfundimi i procesit të votimit, harton listën përfundimtare të komisionerëve, gjyqtarëve dhe komisionerëve publikë të zgjedhur. Lista bashkë me rezultatet e votimit, të prodhuara nga sistemi elektronik, i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë cakton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare, si dhe i përcjell të gjithë deputetëve këtë listë.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime