Vettingu, Gjykata Kushtetuese në
konflikt interesi, e para nën hetim

Vettingu, Gjykata Kushtetuese në<br />konflikt interesi, e para nën hetim
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është para dilemës dhe sprovës, ndoshta, më të vështirë që nga themelimi i saj. Kjo gjykatë duhet të shprehet mbi kushtetutshmërinë e ligjit të Vetingut, i cili konsiderohet guri i themelit të ndërtimit të drejtësisë së re dhe shembjes së drejtësisë aktuale, duke e spastruar nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, të lidhur me krimin apo të paaftë profesionalisht. Rrëzimi i Vetingut do të shembte angazhimin dhe punën dyvjeçare për Reformën në Drejtësi. Vendimi i Kushtetueses merr një peshë tjetër në kushtet kur, për ligjin e Vetingut, janë investuar, si asnjëherë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Ligjshmëria e të gjitha neneve të Vetingut është konfirmuar nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Drejtoria e Çështjeve Ligjore të Brukselit. Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, rrëzimi i Vetingut është jetike për fatin e saj. Me anë të rrëzimit të Vetingut, PD siguron kontrollin mbi drejtësinë, mbron njerëzit e saj nga institucionet e reja etj. Por, është një tjetër rrethanë, arsye dhe situatë, e cilat e vënë Gjykatën Kushtetuese në pozita tejet komprometuese dhe dyshuese në raport me ligjin e Vetingut.

Konflikti i interesit
Përpos rrethanave të mësipërme, Gjykata Kushtetuese, është në konflikt flagrant interesi, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Vetingut, i quajtur ndryshe ligjit për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë njerëzit e parë të drejtësisë, objekt i veprimit të ligjit të Vetingut, ku duhet t’i nënshtrohen skanerit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Në pikën katër të nenit 4 të ligjit për Vetingun, thuhet se çështjet për rivlerësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm do të trajtohen me përparësi në kohë nga institucionet e rivlerësimit. Pra, Kushtetuesja duhet të shprehet për një ligj që parashikon kontrollin e trefishtë të anëtarëve të saj si dhe do të vendosë për fatin e mandatit të tyre, në bazë të rezultatit të kontrollit.

Hetimi i pasurive
Kontrolli i ligjshmërisë së pasurive është objekti kryesor i ligjit të Vetingut. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e pezullon me shpejtësi ligjin, pra brenda 30 ditëve pas hyrjes në fuqi, disa anëtarë të saj mund të jenë objekt i një hetimi të thelluar nga ILDKP dhe ekspertët të FBI për ligjshmërinë e pasurive. Ata deklarojnë vila, apartamente, troje dhe biznese. Anëtarët e Kushtetueses deklarojnë të ardhura të majme nga paga e tyre, nga trajnimet, aktivitetet në universitetet private, pagat e bashkëshorteve dhe fëmijëve madhorë. Do të jenë inspektorët e ILDKP, ekspertët ndërkombëtarë, sidomos amerikanë, Komisioni i Vlerësimi dhe Komisioni i Apelimit, që do të vendosin nëse pasuritë e disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë të ligjshme apo jo. Gjithashtu, organet në fjalë do të hetojnë edhe për pasurinë e padeklaruara të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Apartamente dhe troje
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha ka deklaruar një detyrim ndaj subjektit Gener 2, për blerje banese në vlerën 37 mijë euro. Po ashtu ai është bashkëpronar me 50 %, me bashkëshorten i një banese në Shkodër, me sipërfaqe 65 m2. Ndërkaq, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi, deklaron sipërfaqe trualli 512 metra 2 dhe godinë banimi 218 m 2. Po ashtu, ai thotë se ka marrë një kredi 40 mijë euro, për blerje apartamenti me sipërfaqe 102 metra katror, ma afat 20 vjeçar. Ai deklaron edhe një apartament tjetër, të cilin e ka lëshuar me qira. Anëtarja Altina Xhoxhaj deklaron një llogari rrjedhëse, përfshirë pagën dhe një kartë debiti me vlerë 9 mijë euro, dy paga 1,874,538 lekë dhe 79,687 lekë. Xhoxhaj deklaron një apartament që e ka dhënë me qira dhe të ardhura nga tre paga të ndryshme të bashkëshortit. Anëtarja Vitore Tusha, deklaron të ardhura nga paga në Kushtetuese, 1,874,538 lekë, të ardhura nga shkolla e lartë Luarasi, 178,666 lekë si dhe nga trajnime në Shkollën e Magjistraturës, 93,100 lekë. Bëhet fjalë për pasuritë e deklaruara vetëm gjatë dy viteve të fundit, konkretisht 2014-2015 dhe jo për pasurinë e deklaruar për të gjitha vitet, që përkojnë me fillimin e detyrës.
 
Neni 4 i ligjit të Vetingut
3. Procesi i rivlerësimit fillon menjëherë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Kur çështja është gati për t’u shqyrtuar, institucionet e rivlerësimit vendosin brenda një afati sa më të shpejtë të mundshëm.
 
4. Çështjet për rivlerësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm do të trajtohen me përparësi në kohë nga institucionet e rivlerësimit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën