Tiranë- Vettingu i KPA-së nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë për 15 vitet e ardhshme kreun e Prokurorisë së Lushnjës, Arben Dyla, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të KPK-së katër vite më parë, pas problematikave të gjetura në kriterin e pasurisë.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli sot (28 Janar) vendimin për çështjen e datës 26 Nëntor 2021, që i përket ankimit të magjistratit Arben Dyla, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i dhënë më 9 Shtator 2021.
“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, KPA vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 435, datë 09.09.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arben Dyla. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e institucionit të Vettingut.
KPK shpalli vendimin në shkallën e parë bazuar te problematikat e konstatuara te kriteri i pasurisë. Dyla kërkoi rihapjen e hetimi edhe për dy kriteret e tjera të Vettingut por kërkesa u refuzua nga trupa gjykuese me argumentin se subjekti i rivlerësimit nuk e refuzoi dot barrën e provës.
Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës, Arben Dyla, u përball me dyshime për pasurinë gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Një prej gjetjeve ishte fakti se magjistrati figuronte pa shtëpi, por iu gjet një apartament 150 m2. Një tjetër problematikë ishte mosjustifikimi i dhënies së parave borxh apo me interesa sipas KPK.
Dyla e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 2001 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat. Në vitin 2008 ai është transferuar për të kryer funksionin në Prokurorinë e Lushnjës.