KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Zegjine Sollaku, gruan e ish kryeprokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku për shkak të problemeve për justifikimin e pasurisë.

Gjyqtarja u mbrojt në seancë nga bashkëshorti i saj avokat, ish-kryeprokurori Sollaku, i cili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë.

Pasaktësi janë konstatuar në deklarime dhe mungesa të burimeve financiare në vlerën e 7 milionë lekëve. Gjatë seancës janë relatuar pamundësi financiare për të justifikuar investimet e kryera në blerjen e gjashtë apartamenteve dhe të një autoveture. Ndërkohë, për një apartament dhe një shëpi private në Fier të trashëguar nga vjehrri i subjektit dhe një makinë tjetër ka rezultuar se bashkëshortët Sollaku kanë pasur burime të mjaftueshme financiare. 

Sollaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u konstatuan probleme në kriterin profesional. Hetimi për Zegjine Sollakun u krye nga trupa gjykuese që kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.