Nëse vettingu në sistemin e drejtësisë ka ecur me ritme më të shpejta dhe tashmë një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh kanë kaluar në filtër, ndryshe ka ndodhur me vettingun në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA.

Në vitin 2021 në vetting kanë kaluar vetëm 25 efektivë, 19 prej të cilëve nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe 9 nga kupola e Policisë së Shtetit.

Që prej datës 21 nëntor 2019 kur u dha vendimi i parë i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për Oltion Shehun, e deri në fund të 2021-shit janë firmosur 56 vendime në vetting, 40 prej të cilëve në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës dhe 16 në SHÇBA. Pjesa më e madhe e vendimeve kanë qenë konfirmime në detyrë, ndërsa qindra efektivë janë në pritje për t’iu nënshtruar këtij procesi.

Që prej nisjes, vettingu në Polici është shoqëruar me ngërçe të shumta. Kjo e detyroi Kuvendin të vendoste ndërprerjen e filtrimit të punonjësve të policisë dhe gardës, për t’u përqendruar vetëm tek punonjësit e SHÇBA-së. Këta të fundit, do të marrin më pas në dore filtrimin e punonjësve të Policisë dhe Gardës.

Edhe procesi për filtrimin e SHÇBA-së ka pasur vonesa të shumta, duke filtruar vetëm 16 nga 40 efektivë. 24 të tjerët do të kalojnë në këtë proces gjatë këtij viti.