Shtetet e Bashkuara të Ameriëks dhe Bashkimi Europian kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi ligjin e shumëdebatuar të Vettingut, duke rrëzuar kërkesën e PD për pavlefshmëri. 

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat nga dy ambasadat në Tiranë, kërkohet respektimi i vendimit të gjykatës dhe nisja nga zbatimi i ligjit të Vettingut, për të pastruar sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit. 

Ambasada e BE
 "Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të veçantë vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e ligjit të vetingut në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë".

"BE-ja i inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është pritur gjatë nga qytetarët shqiptarë
", thuhet në deklaratën e Bashkimit Europian. 

Gjithashtu BE thekson se Komisioni Evropian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ambasada e SHBA
Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. 
Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com