VËZHGIMI/ Hekurudha shqiptare që 'jeton' me vdekje! (VIDEO)

Hekurudha shqiptare është në ditët e saj më të errëta. Në të gjithë rrjetet hekurudhore të Shqipërisë rreziku për vdekje është prezent gjatë gjithë kohës. Trenat si “fantazma” shkojnë e vijnë ndër stacione të cunguar. Ata pasagjerë të pakt në numër udhëtojnë bashkarish me pasigurinë dhe orarin e zgjatur të mundimit.

Linjat sa vijnë e prishen, duke ulur ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes së trenave.

Por edhe pse në grahmat e fundit të ekzistencës, ky rrjet transporti pasagjerësh e mallrash është shndërruar edhe në rrezik për jetën e qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe mbikalimeve të paligjshme janë regjistruar 36 aksidente hekurudhore.

Aksidenti më tragjik hekurudhor ka ndodhur në vitin 2003 në hyrje të Vorës, ku  makina i pret rrugën trenit në një mbikalim të paligjshëm, i cili ekziston edhe sot, e për pasojë humbën jetën dy persona, instruktori dhe nxënësja.

Por edhe pakujdesia e qytetarëve shpesh herë është burim aksidenti, siç është rasti i një vajze në Elbasan e cila po ecte me kufje në vesh mbi shinat e për pasojë nuk dëgjoi trenin, i cili i mori jetën. 

Por jo vetëm përplasjet me mjetet e transportit rrugor si dhe pakujdesia e qytetarëve, në vetvete edhe  trenat shpesh herë janë bërë burim aksidentesh duke dalë nga shinat, apo në disa raste edhe duke mbetur në mes të rrugës.

Pas vitit 1992 intensiteti i ndërtimeve bëri që mbi shinat e trenit të ndërtohen 144 mbikalime të paligjshme. Ndër akset më problematike është ai  i Shkodër-Bajzë i cili çdo 2 kilometër ka 12 mbikalime të paligjshme.

Edhe pse në një situatë sa të mjeruar por aq edhe të rrezikshme, duket se edhe autoriteti administrues i hekurudhave e ka të pamundur ndërhyrjen për të mirëmbajtur apo ndërhyrë në ato zona të nxehta, ku trenat janë burime aksidentesh.

Por, nuk kanë munguare dhe vjedhjet e pllakave metalike që mbajnë shinat e trenit me bazamentet e trarëve. Në shumë linja hekurudhore mungojnë me dhjetëra pllaka metalike në vendet që lidhin traversat hekurudhore, si pasojë e heqjesh së tyre nga njerëz të  papërgjegjshëm, të cilat i kanë marrë për ti shitur për skrap. Dhe në këtë situatë ato janë zëvendësuar me pyka prej druri.

Vetëm disa javë më parë 3 pjesëtarët e një familje shpëtuan për mrekulli, pasi automjetit me të cilin udhëtonin u përplas nga treni në Pllanë të Lezhës. Në vendin ku ndodhi ngjarja kanë ndodhur disa aksidente, pasi mungon trau për të bllokuar lëvizjen në momentin e kalimit të trenit. Në zonën e Lezhës numërohen dhjetëra kalime të tilla në të cilat mungon sinjalistika. Në këtë situatë kalimtarët  thonë se ndihen mjaft të rrezikuar, pasi nga këto mbikalime shpesh herë kanë ndodhur aksidente, ku nuk kanë munguar dhe pasojat në jetë njerëzish.

Çdo ditë e më shumë hekurudha në Shkodër po shkon drejt degradimit të plotë. Linja Shkodër – Lezhë është 34 kilometër e gjatë dhe është ndërtuar në vitet 1980. Që në atë kohë e deri më sot kanë munguar totalisht investimet duke bërë që shinat e trenit të pësojnë dëmtime të konsiderueshme. Mbikalimet kudo në hekurudhë janë të jashtëligjshme duke u bërë një rrezik i madh për banorët që përshkojnë në ato shina. Jo vetëm investimet por dhe mirëmbajtja prej afro 35 vitesh mungon totalisht. Linja Shkodër – Lezhë në të cilën treni për shkak të mbikalimeve, amortizimit të traseve apo edhe mungesës së investimeve si në rastin e aksit hekurudhor në Mjedë bën që të krijohet një problematikë e madhe. Përgjatë linjës hekurudhore Shkodër-Laç, janë mbi 110 mbikalime, një pjesë e të cilave të paligjshme.

Në qarkun e Durrësit problem janë 5 mbikalime të paligjshme mbi të cilat kalojnë automjetet. Tre prej tyre ndodhen në zonën e plazhit, një në Rrashbull dhe një në zonën e Sukthit. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 3 aksidente hekurudhore. U plagosën dy persona ndërsa një makinë u përplas me trenin por nuk pati pasoja në njerëz. Ndërsa në dy raste për shkak të amortizimit të linjave treni doli jashtë shinave duke mos pasur të lënduar.

Në Fier në disa segmente të linjës hekurudhore, Fier -Ura e Mbrostarit, tranversat e shinave janë teje të amortizuara. Në këto kushte treni i pasagjerëve është i rrezikuar  për daljen e tij jashtë shinave. Vetëm disa kohë më parë në vendin e quajtur “Vija e Ngjales”, në hyrje të Fierit, treni i pasagjerëve, Durrës -Fier ka dalë nga shinat, por fatmirësisht nuk është përmbysur dhe nuk ka pasur të lënduar. Sipas specialisteve ishin tranversat ato që krijuan këtë aksident të rendë. Treni ka qëndruar 24 orë deri sa u ndërruan tranversat e kalbura dhe më pas u bë e mundur zhvendosja e tij.

Por, ende në këtë segment hekurudhor nga një vëzhgim që televizioni Report Tv shikohen tranversa të dëmtuara apo të kalbura.

Edhe pse shpejtësia e trenave është jo më shumë se 20-30 km në këtë segment treni i pasagjerëve, siç shikohet edhe nga pamjet ngadalëson shpejtësinë. Gjatë këtij vëzhgimi gjetëm edhe kontrolluesin e kësaj linje, i cili gjatë kontrollit ka konstatuar një bollonë lidhës të shinave që kishte dalë nga vendi. Ai shprehet se dalja e bollonit nuk përbën rrezik, por gjithsesi siç shihet treni ul shpejtësinë.

Por nuk munguar edhe pakujdesia e qytetarëve, ku në dy raste në zonën e Fushë- Krujës, banorët i vunë zjarrin barishteve dhe shkurreve, e për pasojë flakët përfshinë edhe linjën hekurudhore duke dëmtuar një numër të madh traversash. Ndërsa, probleme me sinjalistikën në zonën e Fushë-Krujës konstatohen në superstradën Thumanë - Laç. Ky segment rrugor është bërë pre e grabitjes së elementëve sinjalizues si dhe mureve ndarëse të rrugës. Aktualisht në këtë superstradë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për të riparuar dëmet.

Ka ardhur koha që në hekurudhë të bëhet një studim i veçantë nga specialistë të veçantë dhe të bëhet një ndërhyrje në  themel.  Ndoshta është e hidhur të thuhet,  por midis atyre rrugëve të asfaltuara shtrihet trishtueshëm si padenjë, e braktisur udha e hekurt,  një arterie e rëndësishme e Shqipërisë, që merr frymë me gramët e fundit.  E cila vetëm pesë vitet e fundit është bërë shkak i 36 aksidenteve nga të cilat me pasojë humbjen e 6 jetëve të pafajshme.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja