GJERMANI - 35 efektivë policie të plagosur, disa tifozë futbolli të arrestuar dhe 85 persona të tjerë që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, ky është bilanci paraprak i derbit të Gjermanisë jugperëndimore në Kupën e Gjermanisë (DFB-Pokal), mes SV Waldhof Mannheim dhe FC Kaiserslautern.
Sipas policisë, tetë persona u dërguan në spital për trajtim të mëtejshëm. Sipas një zëdhënëseje, bazuar në informacionet e deritanishme, dëmtimet e trajtuara në spital ishin të lehta.
Sipas organizatorëve, rreth 23.500 spektatorë ndoqën të premten në mbrëmje ndeshjen e luajtur në stadiumin e mbushur plot 'Carl-Benz-Stadion' në Mannheim, mes tyre rreth 3.500 tifozë miq. Atmosfera ishte tepër e tensionuar dhe gjatë gjithë ndeshjes u ndezën vazhdimisht mjete piroteknike.
Tifozët pushtojnë fushën
Pas 90 minutash pa gola, situata doli jashtë kontrollit. Fillimisht, në fushë pati një përplasje mes lojtarëve, ndërsa më pas disa tifozë të Kaiserslautern hodhën mjete piroteknike drejt sektorëve të tifozëve vendas. Si pasojë, tifozë të Mannheim hynë me forcë në fushën e lojës.
Forcat e policisë, disa prej tyre të hipura në kuaj, u detyruan të ndërhynin për të rikthyer situatën nën kontroll. Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes u plagosën lehtë 33 efektivë të Policisë Federale Gjermane dhe dy policë nga Baden-Württemberg.
Në total, në stadium ishin angazhuar rreth 1.400 forca sigurie, përfshirë efektivë nga Rheinland-Pfalz dhe Bayern. Për një moment, ndeshja rrezikoi të ndërpritej. Fillimi i kohës shtesë u shty për pak minuta, por pas rifillimit të lojës situata u qetësua. Më pas, zjarrfikësit shuan një zjarr të ndezur nga tifozët në sektorin e tifozëve miq.
Policia ka nisur hetime për fyerje, plagosje, dëmtim të pronës, prishje të rëndë të rendit publik, sulm fizik ndaj punonjësve të policisë, si dhe shkelje të ligjit për lëndët shpërthyese.
Pavarësisht trazirave të rënda, policia e konsideroi ndërhyrjen e saj të suksesshme. Drejtori i Policisë së Mannheimit, Michael Reichert, tha se përgatitja intensive e të gjitha institucioneve të përfshira dhe bashkëpunimi i ngushtë mes tyre kishin dhënë rezultat. “Koncepti ynë taktik funksionoi plotësisht.”
Schober kundër Ritter
Drejtori sportiv i Mannheimit, Mathias Schober, ndërkohë ia atribuon kundërshtarëve përgjegjësinë për përshkallëzimin e situatës.
Ai tha për televizionin Sky News se klubi i tij kishte ndërhyrë për ta qetësuar situatën pas një përplasjeje mes lojtarëve, por më pas nga sektori i Kaiserslauternit ishin hedhur flakadanë drejt tribunës kryesore të Mannheimit.
Schober kritikoi veçanërisht Marlon Ritter, i cili mori karton të verdhë për Kaiserslautern.
“Dhe kur Ritter shkoi te stoli i tij, ai provokoi në mënyrën e vet dhe shfryu zemërimin. Kjo nuk i justifikon hedhjet e gotave. Por mendoj se ishte vërtet shumë provokuese.”
Ritter iu përgjigj kritikave: “Për mua kjo është relativisht e parëndësishme. Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet. Po të kishim humbur, ndoshta edhe unë do të kisha thënë më shumë. Nga stoli i Waldhofit pati disa komente. Por kjo për ne nuk ka rëndësi. Ne fituam dhe kjo është ajo që ka rëndësi.”
'Armiqësia' ka një histori të gjatë
Dy grupimet e tifozëve janë në armiqësi që prej fillimit të viteve ’80, teksa edhe dje në mbrëmje zhvilluan një përballje të tensionuar në tribuna.
Vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes, arbitri Schröder e ndërpreu përkohësisht lojën. Shkak ishin fillimisht mjetet piroteknike të ndezura në sektorin e tifozëve miq.
Tifozët vendas hodhën sende në drejtim të portierit të Kaiserslauternit, Julian Krahl, dhe gjithashtu ndezën mjete piroteknike. Pasi tymi u shpërnda, arbitri rifilloi ndeshjen.
Kaiserslautern fitoi 0-1 me golin e Ibrahim Kanate në minutën e 120-të duke eliminuar Mannheim.










Komente
Komento