Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 15-të. Lecce fitoi 1-0 në fushën e saj kundër Pisas, por për vendasit pati shqetësime për gjendjen e Medon Berishës.

Mesfushori i Kombëtares e nisi ndeshjen titullar, por pas vetëm dhjetë minutash lojë ndjeu shqetësime dhe u desh të dilte nga fusha me barelë dhe mes lotësh. Vendin e tij e mori Kaba, ndërsa shihet se Ylber Ramadani i qëndron pranë gjatë gjithë kohës bashkëkombasit të tij.

Frika për Berishën është në një këputje te muskujt aduktorë të kofshës. Lecce ende nuk ka dhënë një raport mbi gjendjen e tij.

Sa i takon ndeshjes, vendasit e Lecces ia dolën të merrnin tri pikë falë golit të Stulic në minutën e 72-të dhe me 16 pikë ngjiten për momentin në vendin e 13-të, duke lënë Pisan me 10 pikë në vendin e 18-të.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:40
Medon Berisha doli nga fusha mes lotësh, Ramadani: Jam i shqetësuar për vëllanë tim të vogël

Pas fitores së Lecces 1-0 në shtëpi kundër Pisas, foli edhe Ylber Ramadani. Mesfushori i Kombëtares ishte titullar te vendasit, ndërsa u ndal edhe te dëmtimi pas vetëm dhjetë minutash lojë i Medon Berishës. Ai e quajti vëlla bashkëlojtarin e ekipit, teksa analizoi edhe sezonin.

“Më vjen shumë keq për Berishën, për vëllanë tim të vogël. Dëmtimi i tij më shqetëson, e presim sa më shpejt në fushë.

Sezoni - Trajneri flet gjithmonë me mua dhe me Falconen për të ndihmuar shokët e ekipit. Grupi këtë vit është fantastik, e njoh mirë ambientin. Kur luan mirë, tifozët të mbështesin gjithmonë. Sot ndeshja ishte në duart tona, që nga minuta e parë kemi qenë gjithmonë aty. Pas golit e menaxhuam mirë avantazhin. Kur gaboj, jam i pari që marr përgjegjësitë e mia. Pas ndeshjes me Cremonesen nuk kam fjetur për shkak të faullit që çoi në penallti”, u shpreh Ramadani për DAZN.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 11 Dhjetor, 07:30

    Çfarë vlerësimi keni për drejtimin e SPAK nga Altin Dumani?