Policia e Lezhës ka sqaruar sot videon e dhunës barbare në Shëngjin. Në video duken dy persona të cilët qëllojnë me sende të forta ndaj një tjetri, duke e lënë atë të plagosur rëndë.

Sipas Policisë së Qarkut Lezhë, video nuk ka lidhje me ngjarjen e djeshme në Kurbin ku gjithashtu u dhunua një i ri, por me sherrin e datës 17 qershor në Shëngjin, për pagesën e përmuajshme të ashensorit.

"Video e publikuar, i përket ngjarjes së ndodhur me datë 17.06.2016, në Shëngjin, për të cilën  Policia e Lezhës ka reaguar menjëherë pas njoftimit duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar. Njoftimi për këtë ngjarje dhe për veprimet e kryera nga Policia e Lezhës, u është dërguar të gjitha mediave. Nga veprimet hetimore të kryera nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar për veprën penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", mbetur në tentativë", thuhet në reagimin e Policisë.

Tre javë më parë, një konflikt për motive banale në Shëngjin përfundoi me dy persona të plagosur. Në konflikt u përfshinë Gertian Malshi dhe Gëzim Aliaj, ndërsa mbeti e plagosur bashkëshortja e këtij të fundit.

Shkaku i këtij konflikti ishte mospagesa e tarifës mujore për mirëmbajtjen e shkallës dhe ashensorit nga ana e Gertian Malshit, i cili është edhe autori i plagosjes së shtetases Mimoza Aliaj 49 vjeçe. Bashkëshorti i 49-vjeçares, Gëzim Aliaj ishte përgjegjës shkalle në pallatin ku kishte banesë Malshi.

Sherri ndodhi pasi përgjegjësi i pallatit, Gëzim Aliaj kishte shkuar në banesën e Gertian Malashit për të kërkuar pagesën e përmuajshme. Pasi kanë debatuar për cilësinë e mirëmbajtjes së shkallës dhe mospagesën e tarifës, Gertian Malshi ka qëlluar me armë "shootgun" mbi bashkëshortët.
 
Saçmat kanë kapur 49 vjeçaren Mimoza Aliaj. Në këtë moment Gëzim Aliaj i ka rrëmbyer armën nga dora Malshit dhe e ka qëlluar, duke e lënë të plagosur. Më pas, ai e ka dhunuar atë edhe fizikisht në rrugë, duke e lënë pa ndjenja. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com