Pas videos ekskluzive e transmetuar nga Report Tv dy ditë më parë, një tjetër video tregon momentin e grabitjes së rreth 1 milionë euro në pistën e aeroportit të Rinasit.
 
Në video prej dy minutash duken qartë grabitësit të cilët në brendësi të pistës së aeroportit, janë ndaluar fillimisht pranë furgonit të sigurisë, por nuk arrijnë dot ta grabisin sepse ishte me dyer të mbyllura.
 
Më pas, ata kanë vrapuar menjëherë tek furgoni tjetër i sigurisë, nga i cili edhe grabisin shumën e parave. Sipas pamjeve të siguruara nga filmimet, në vendngjarje duken qartë qenë dy makina të koncesionarit të Rinasit, Tirana International Airport (TIA).
 
Njëra nga makinat e ICTS ka lëvizur nga vendngjarja pa tentuar të ndalojë grabitësit, apo të lajmërojë policinë.
 
Nga kjo video, bie në sy edhe fakti se mjeti i bardhë i aeroportit, që duket qartë në videon e transmetuar ekskluzivisht nga Report Tv, konstatoi portën e shqyer prej grabitësve dhe makinën e grabitësve që hyri brenda rrethimit e më pas ka qenë e pranishme dhe në momentin e grabitjes.

Punonjësit në këtë makinë e kanë parë të gjithë skenën që prej hyrjes së grabitësve brenda rrethimit të aeroportit e deri tek momentet e grabitjes dhe nuk kanë vepruar. Për më tepër, nga ç'u faktua edhe nga dokumentet dhe raportet zyrtare të TIA-s, punonjësit në këtë makinë e e raportuan grabitjen 1 minutë pasi makina e grabitësve kishte dalë jashtë rrethimit.

Këto pamje vënë nën akuzë të rëndë koncesionarin e Rinasit-TIA; punonjësit e tij nuk ndërhynë në skenën e grabitjes, nuk bënë asnjë përpjekje as për t'i ndalur e as për t'i ndjekur pas grabitjes. Fakte këto konkrete që rrëzojnë pretendimet e TIA-s se ishte policia që nuk ndërhyri për grabitjen, në një kohë kur punonjësit e koncesionarit dhe kompania e sigurimit ICTS kanë qenë dëshmitarë të grabitjes.