TURQI - Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, Ernest Muçi, ishte protagonist të shtunën në fitoren 1-2 të Trabzonsporit në transfertë kundër Besiktasit, duke realizuar golin vendimtar në një përballje të zhvilluar në Stamboll dhe që vlente për raundin e 33-të në Superligën turke.

Në një ndeshje të veçantë për të, pasi përballë kishte skuadrën që i zotëron kartonin, Muçi tregoi klasin në minutën e 62-të, kur shfrytëzoi një top në krahun e majtë të zonës dhe realizoi me një goditje elegante për t’i dhënë tri pikët Trabzonsporit.

Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 14-të me golin e Orkun Kokcu nga pika e penalltisë. Reagimi i Trabzonsporit ishte i menjëhershëm, me Oleksandr Zubkov që barazoi shifrat në 1-1 vetëm pak sekonda më pas.

Pas pushimit, skena i takoi Muçit, i cili vulosi rezultatin dhe i siguroi tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Sulmuesi shqiptar u zëvendësua në minutën e 77-të, vetëm dy minuta pasi u ndëshkua me karton të verdhë që do të thotë pezullim për ndeshjen e ardhshme.

Në këtë sfidë, Muçi fitoi edhe duelin shqiptar përballë Kristjan Asllanit, teksa Milot Rashica mungonte për Besiktasin për shkak të gjendjes gripale. Muçi ishte ndër më të mirët në fushë dhe këtë sezon ia ka dalë të shënojë 14 gola duke e mbajtur Trabzonsporin në vendin e tretë të renditjes.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?