TIRANË- Dy të miturit të cilët, vodhën filialin e postës në Babrru të Tiranës janë vënë në pranga. Në kuadër të operacionit “Filiali” u arrestuan R. S., 15 vjeç dhe E. L., 17 vjeç.

Dy të miturit grabitën tre ditë më parë 200 mijë lekë nga filiali i postës në Babrru të Tiranës, ndërsa sipas policisë ata kanë kërcënuar punonjësit me armë lodër dhe më pas janë larguar.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë dhe një nga biçikletat e autorëve që e përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Kujtojmë se dy të miturit u futën në filalin e postës duke u maskuar me xhupa dhe kapuç xhupi, shall dhe golf dhe kanë marrë shumën e parave. Janë larguar në drejtim të Alliasit.