Napoli fitoi të shtunën 3-1 kundër Interit dhe skuadra e Antonio Contes gjeti vendin e parë pas tetë ndeshjeve të këtij sezoni në Serie A. Dueli nuk ka qenë i qetë për dy skuadrat dhe protagonist u bë trajneri i Napolit, Antonio Conte, me ish-sulmuesin e tij, kapitenin e Interit, Lautaro Martinez.

E gjitha filloi me Dumfries (Inter) që pati një kontakt me Oliveran (Napoli) dhe reagimin e Contes në lidhje me këtë situatë (minuta 61 e ndeshjes). Lautaro ndërhyri në grindjen midis Contes dhe holandezit, duke imituar gjestin e frikës dhe më pas gjestin e "flasim, flit" drejtuar ish-trajnerit të tij te Interi.

Calhanoglu ndërhyri për të frenuar ish-trajnerin e tij dhe për të parandaluar tensione të mëtejshme. Grindja përfundoi me argjentinasin që qeshte dhe me Conten që bërtiste: "Qeshni me këtë m**".

Të dy ishin përfshirë tashmë në një grindje gjatë kohës së tyre te Interi, në ndeshjen Inter - Roma më 12 maj 2021. Lautaro Martinez reagoi me nervozitet kur Pinamonti e zëvendësoi, pasi argjentinasi kishte zëvendësuar të dëmtuarin Alexis Sanchez në pjesën e parë, duke shkelmuar një shishe dhe duke u kthyer në stol duke u ankuar.

Kjo sjellje nuk i pëlqeu Antonio Contes asokohe, i cili nuk i kurseu fjalët, duke e qortuar sulmuesin e tij para shokëve të ekipit: "Duhet të tregosh respekt, në vend që të sillesh si një mburravec", i bërtiti Conte argjentinasit.

Pas një sqarimi privat u duk se tonet ishin ulur, por jo. Të shtunën u pa se mes tyre ka inate të vjetra edhe pse tani nuk janë pjesë e një ekipi.