SHBA - David Beckham ka prezantuar stadiumin e ri të Inter Miamit (NU Stadium), një projekt gjigant me vlerë 350 milionë dollarë, pjesë e një kompleksi që arrin në 1 miliard dollarë. Arena e re pritet të hapë dyert zyrtarisht këtë fundjavë, duke shënuar një kapitull të ri për klubin amerikan. Nesër në orën 1:30 të mëngjesit me kohën shqiptare, Inter Miami pret në 'NU Stadium' FC Austin të Myrto Uzunit.

Projekti, i njohur fillimisht si Miami Freedom Park, nisi ndërtimin në vitin 2023, tre vite pas themelimit të klubit. Deri më tani, skuadra ka zhvilluar ndeshjet në 'Chase Stadium', por tashmë do të zhvendoset pranë aeroportit të Miamit, në një impiant me kapacitet të rritur në 26,700 spektatorë.

Në rrjetet sociale, Beckham publikoi pamje nga stërvitja e parë në stadiumin e ri, të shoqëruara me mbishkrimin “Shtëpia jonë e re”, duke zbuluar një fushë moderne me ngjyrat karakteristike rozë dhe të bardhë të klubit.

Një nga detajet më të veçanta të këtij impianti është vendimi për të emërtuar një nga tribunat me emrin 'Lionel Messi', ylli aktual të ekipit. Klubi e cilësoi këtë si një “ngjarje të rrallë dhe unike”, në nder të tetë herë fituesit të Topit të Artë.

Fillimisht ishte planifikuar që stadiumi të përkonte me sezonin e fundit të Messit në vitin 2025, por vonesat e shtynë projektin. Megjithatë, rinovimi i kontratës së argjentinasit deri në vitin 2028 i jep mundësinë që ai të mbyllë aventurën e tij në SHBA pikërisht në këtë stadium, ku tashmë një tribunë do të mbajë emrin e tij.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 4 Prill, 10:21

    Nafta arrin në 224 lekë/litri, a është e mjaftueshme vetëm ulja e akcizës?