TIRANE - Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka dashur ta përcjellë qartë dhe fortë, më shumë se një herë mesazhin drejtuar Tiranës zyrtare për të mbyllur çdo aktivitet që kundërshtari i tij më i fortë manjati Fetullah Gulen ka ngritur në vendin tonë, kryesisht shkolla. Televizioni A1 Report risjell edhe njëherë momentin kur udhëheqësi turk flet me tone kërcënuese për “shtetin paralel” dhe organizata që ai i cilësoi terroriste gjatë inaugurimit të nisjes së punimeve për Xhaminë e Namazgjasë. Erdogan përsërit dy herë “të jemi të qartë për këtë gjë” (në gjuhën turke), ndërsa më herët gjatë fjalës së tij kish theksuar se të gjitha aktivitetet e kësaj organizate në Shqipëri do të mbulohen nga Turqia.
 
Por në këtë moment përkthyesi është stepur për të shqipëruar fjalët, çka ka “detyruar” Erdogan t’i kërkojë përkthyesit t’i theksojë në shqip fjalët e tij. “A është shqiptar ky”, -thotë më tej Erdogan duke qeshur pasi i kishte përsëritur “të jemi të qartë për këtë gjë”, një formë e moderuar “kërcënimi” për të marrë parasysh sugjerimet e tij kundër Gulenit. 
 
Ai kërkoi të jetë i qartë për palën shqiptarë që aktiviteti i “Lëvizjes Hizmet” duhet të tërhiqet nga Shqipëria.
 
Me organizata terroriste që sipas tij rrezikojnë vendin tonë, kreu i shtetit turk i referohet perandorisë arsimore anembanë botës dhe në Shqipëri, të Fetullah Gulen, ish-aleati i tij tashmë në “azil” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Shqipëri dhe Kosove, Lëvizja Gülen ka ndërtuar një rrjet shkollash nga cikli i ulet (Kolegjet Turke) deri tek univeristetit sic është Universiteti Epoka) te cilat operohen nga Turgut Özal Education Company dhe Fondacioni Arsimor Gulistan.

Lëvizja e Gulenit nuk ka një emër zyrtar por shpesh thirret me emrat “Hizmet” ose “Shërbimi” apo “Cemaat” (Komuniteti / Asambleja).

Redaksia Online
(B.P/Shqiptarja.com)