Serie A e futbollit në Itali zhvilloi të dielën pesë nga ndeshjet e raundit të 25-të. Sassuolo fitoi 1-2 kundër Udineses, Cremonese dhe Genoa barazuan 0-0, Parma mposhti 2-1 Veronën, ndërsa Torino humbi 1-2 në shtëpi nga Bologna. E diela kulmoi në orën 20:45, me Napolin dhe Romën që barazuan 2-2.
Në 'Maradona', vendasit e Napolit nuk u dorëzuan paçka se Roma kaloi në epërsi pas shtatë minutave lojë me Donyell Malen. Fundi i pjesës së parë solli golin e barazimit për Napolin me një ish si Spinazzola. Mbrojtësi lëshoi një të djathtë potente nga jashtë zone, me sferën që u devijua lehtë, mjaftueshëm sa për të nxjerrë nga trajektorja portierin Svilar.
Në pjesën e dytë një pakujdesi e Rrahmanit në zonë i dha 11 metërshin Romës, me të përhershim Malen që u tregua i saktë dhe dyfishoi për të besuarit e Gasperinit. Në momentin që shkaktoi faullin, Rrahmani u dëmtua dhe u zëvendësua nga Alisson Santos, afrimi i janarit.
Ishte pikërisht braziliani që ndezi shkëndijën e sulmit te Napoli dhe në minutën e 82-të ia doli të barazonte shifrat për 2-2. Napoli me 50 pikë mbetet në vendin e tretë të renditjes në Serie A, ndërsa Roma me 47 pikë ndodhet në vendin e katërt, një pikë para Juves.
Tabelën e Serie A e kryeson Interi me 61 pikë, tetë më shumë se Milani ndjekës, por kuqezinjtë kanë një ndeshje më pak, atë kundër Comos e cila luhet më 18 shkurt.
Komente









