RUSI, Kazan - Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer në fillimin e sezonit të ri në kampionatin rus. Sulmuesi i Kombëtares ishte protagonist absolut në fitoren e Rubin Kazan ndaj Sochi, duke shënuar dy gola dhe duke i dhënë skuadrës së tij tri pikë të vlefshme.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Rubin Kazan, me Dakun që realizoi fillimisht nga pika e bardhë në minutën e 12-të, për të zhbllokuar sfidën me një penallti që u fitua nga vetë ai. Në pjesën e dytë Daku 'vulosi' fitoren në minutën e 78-të, me një finalizim që është për t'u parë disa herë. 27-vjeçari nga Gjilani kontrolloi bukur një pasim të gjatë dhe me finesë ia hodhi portierit topin me parabol, teksa sfera fundin e udhës e kishte në rrjetë.

Me këtë dopietë, e para e tij për këtë sezon, Daku shkon në kuotën e 4 golave në katër ndeshje dhe është kthyer në një nga emrat më të spikatur të kampionatit në këto javët e para.

Me formën e treguar ai u shpall "Njeriu i Ndeshjes" dhe u shpreh i emocionuar për paraqitjen.

 "E nisëm mirë ndeshjen, por më pas Sochi u përmirësua. Gjatë pushimit, thamë se nuk mund ta humbisnim përqendrimin dhe se duhej të shënonim një gol tjetër. Megjithatë, ata arritën ta ngushtonin diferencën dhe ndeshja ishte e tensionuar deri në fund.

Një duel me mbrojtjen e Sochit? Nëse një sulmues shënon dy gola, atëherë po, ai del fitues në një duel me mbrojtjen. Nuk ishte e lehtë kundër tyre, ata luajtën shkëlqyeshëm, por në fund të fundit, unë dola fitues në atë duel.

Kur shënova golin e parë, përshëndeta Oleg Ivanovin, tregova se ia dedikoja atij për ditëlindje. Fatkeqësisht, nuk pata kohë të blija një dhuratë, por ndoshta nuk ishte e nevojshme, sepse loja jonë në fakt u bë një dhuratë", tha Daku pas sfidës.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?