Kombëtarja fitoi dje 2-0 me Bullgarinë, në një duel miqësor që u luajt në "Air Albania". Pas sukseseve me Poloninë dhe Çekinë, tanimë kuqezinjtë vijojnë një formë fantastike, duke mos njohur humbje prej gjashtë ndeshjeve. Golat e Laçit dhe Muçit i dhanë suksesin e radhës Sylvinhos në stolin kuqezi, duke dërguar në gjashtë numrin e ndeshjeve pa humbje.

Atmosfera ka qenë pozitive edhe në dhomat e zhveshjes, me lojtarët dhe stafin që duken se janë në harmoni të plotë. Pas suksesit me Bullgarinë, në zhveshtore ka pasur përqafime, këngë dhe valle. Duket se u desh një brazilian i stërvitur me "samba", që kuqezinjtë t'ia merrnin valles shqiptare. 

Me Sylvinhon në krye, Shqipëria ka siguruar 5 fitore, një barazim dhe një humbje. 13 gola kanë shënuar kuqezinjtë, teksa kanë pësuar vetëm tre. Duket se dora e trajnerit është ndjerë në ekipin kombëtar.