RUSI - Spartaku i Moskës ia ka dalë të bindë Mirlind Dakun, me sulmuesin e Kombëtares që do të lërë pas tre sezonesh Rubin Kazanin duke kaluar në kryeqytetin rus. Spartaku nuk është frikësuar nga shuma, teksa ka derdhur në arkat e klubit nga Kazani plot 11 milionë euro, klauzolë kjo që ishte e nevojshme për largimin e Dakut.

Rubin Kazani ka publikuar një video prej 20 minutash me imazhet e Mirlind Dakut para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së raundit të dytë të kampionatit rus kundër Akronit, të shtunën. Në video shfaqen goli, lotët, përqafimi dhe fjalimi i Dakut para bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të Rubin Kazanit në dhomat e zhveshjes.

Kjo ishte ndeshja e fundit e Dakut me fanellën e Rubin Kazanit. Ai shënoi golin e dytë në fitoren e ekipit, ndërsa ka dy gola në dy ndeshjet e para të këtij sezoni në kampionat. Pas ndeshjes Dakut është ngritur lartë nga bashkëlojtarët, ndërsa i kishte sytë me lot. Sytë me lotë i kishte edhe pasi përfundoi fjalimin para bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të ekipit nga Kazani.

"Faleminderit shumë për këto tre sezone që kemi kaluar së bashku. E di që vij nga një ligë më modeste se kjo e Rusisë dhe do të doja të falenderoja të gjithë futbollistët rus që na bëjnë ne të huajve të ndihemi si në shtëpi këtu. Nuk di çfarë tjetër të them. Është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës dhe është e rëndësishme të ruajmë gjithmonë marrëdhëniet që kemi. Faleminderit shumë”, tha Daku në videon e publikuar të dielën.

Daku është pjesë e Rubin Kazan që prej vitit 2023, ndërsa ka shënuar 37 gola në kampionatin e Rusisë. Sulmuesi është pjesë e kombëtares së Shqipërisë.

Trajneri Franc Artiga, vlerësoi Dakun. “Nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë nesër apo gjatë javës, por shenjat janë goxha të qarta. Pavarësisht se çfarë ndodh, Daku, veçse është lojtar i madh, është person shumë i dashur në dhomat e zhveshjes. Ai është lojtar që i jep skuadrës shpirtin e duhur. E ka dërguar Rubinin në një tjetër nivel. I urojmë fat”, ka thënë Artiga.

Në karrierën e tij Daku ka qenë pjesë e klubeve të Hajvalisë, Llapit, Osijekut, Kukësit, Ballkanit, NS Murës dhe Rubin Kazanit. Me kalimin te Spartaku në Moskë pritshmëritë janë të larta që ai të vijojë me të njëjtin ritëm për shënimin e golave.

28-vjeçari pritet të firmosë një kontratë 3 vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër.

S.Dh/Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00

    Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?