12 prilli 2026 ishte një ditë e veçantë për Adri Mehmetin, 17-vjeçarin shqiptar që luan me New York Red BullsSHBA. Në përballjen kundër Inter Miamit të Lionel Messit, ekipi i tij barazoi 2-2 në udhëtim dhe një nga golat u shënua nga Mehmeti. Ky ishte goli i parë për djaloshin shqiptar i cili ka një të ardhme të ndritur përpara.

Sipas medieve në SHBA, i ati i Adri Mehmetit, Ritvani, ose Vani siç njihet, udhëtoi me makinë për 2460 kilometra nga Teksasi për në Miami për të ndjekur nga pranë të birin që shënoi kundër Lionel Messit.

Në kanalet e komunikimit po qarkullon një video ku duket Ritvan Mehmeti në lot duke puthur dhe përqafuar të birin pas ndeshjes. Një shenjë krenarie kjo për prindërit e djaloshit të artë shqiptar i cili po shkëlqen në fushë edhe pse nëna e tij, Suada, nuk dëshiron që Adri të lërë pas mësimet.

Kush është Adri Mehmeti?

I lindur në New York më 6 prill 2009, Mehmeti festoi ditëlindjen e 17-të vetëm një javë para golit dhe i rezervoi vetes një dhuratë shumë të madhe, golin e parë në karrierë. Ai ka qenë pjesë e akademisë së New York Red Bull prej një kohe të gjatë, ndërsa në vitin 2024 u bashkua me ekipin e dytë.

Tanimë ai është titullar me ekipin A dhe këtë sezon ka luajtur shtatë ndeshje duke shënuar një gol dhe asistuar në dy të tjerë.

I ftuar te Shqipëria U-15 nga trajneri Armand Dama, Mehmeti ka luajtur tre herë dhe ka shënuar një gol me kuqezinjtë në tetorin e vitit 2023, por një muaj më pas vendosi të përfaqësojë moshat U-15 të SHBA, ku ka luajtur në shtatë takime dhe ka shënuar një gol.

Adri Mehmeti përballë Messit