Bundesliga gjermane e futbollit zhvilloi të shtunën pesë nga ndeshjet e raundit të 33-të, ose thënë ndryshe të parafundit të sezonit. Me Bayern Munich që e ka siguruar prej javësh titullin kampion, gara në Gjermani vijon për një vend në Evropë apo për mbijetesën.
Në 'Volkswagen Arena', vendasit e Wolfsburgut u mposhtën 0-1 nga Bayern Munich. Vendimtar për kampionët e Gjermanisë u tregua Michael Olise në minutën e 56-të me një gol fantastik nga jashtë zone. Më herët, në minutën e 36-të Harry Kane gaboi një penallti, duke qenë ndoshta ekzekutimi më i keq që anglezi i bën një 11 metërshi.
Wolfsburg është në 'vallen e mbijetesës', teksa së bashku me St. Paulin kanë nga 26 pikë për vendet 16 dhe 17 në renditje. Fati e do që javën e ardhshme të dyja skuadrat të përballen mes tyre, teksa Wolfsburgu mund të sigurojë zonën play-out edhe me një barazim, ndërsa St. Paulit i duhen vetëm tri pikët.
Në ndeshjet e tjera, Augsburgu fitoi 3-1 kundër Gladbach, Hoffenheim mposhti 1-0 Werder Bremen dhe ka shense që të sigurojë vendin e katërt, RB Leipzig mposhti 2-1 St. Paulin, ndërsa tri pikë siguroi edhe Stuttgarti që mposhti 3-1 Leverkusenin duke i nxjerrë 'Aspirinat' përfundimisht nga objektivi Champions.
Komente







