RUSI - Mirlind Daku i ka dhënë një përgjigje të qartë në fushën e lojës klubit të Zenit Shën Petersburgut, duke barazuar në minutën e 90-të rezultatin në 2-2 gjatë ndeshjen mes Rubin Kazan dhe nënkampionëve të Rusisë. Një gol me shumë peshë nga sulmuesi i Kombëtares, jo vetëm për pikën që i dhuroi skuadrës së tij, por edhe për domethënien që mbante për vetë sulmuesin shqiptar.

Gjatë merkatos së verës, Zeniti kishte shfaqur interes për sulmuesin kuqezi, por nuk pranoi të paguante shumën që kërkonte Rubin Kazan për kartonin e tij. Të diel Daku ua kujtoi vendimin e gabuar, duke e ndëshkuar me një gol vendimtar në 'frymën e fundit' të ndeshjes.

Sfida nisi më mirë për miqtë nga Shën Petersburgu, të cilët shënuan dy gola në pjesën e parë, duke krijuar një epërsi të dukshme. Por Rubin Kazan reagoi në pjesën e dytë, fillimisht me shqiptarin e Kosovës, Veldin Hoxhën, që ngushtoi diferencën dhe më pas me Dakun, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 90-të, duke vulosur rezultatin 2-2.