Publikohet video më e fundit nga pengu britanik John Cantlie, i rrëmbyer nga ISIS në Irak që prej nëntorit të vitin 2012. Por ndryshe nga herët e tjera, në këtë video gazetari britanik, shfaqet me një pamje të kuruar e të shëndetshme, ndërsa realizon një reportazh prej 8 minutash në qytetin e Mosulit, totalisht të kontrolluar nga ekstremistët islamikë.
 
Në pamjet e videos Cantlie shëtit i lirë nëpër qytet duke bërë propagandë për Mosulin, si një vend të mirë drejtuar nga terroristët e ISIS, duke përgënjeshtruar mediat perëndimore që raportojnë për kaosin dhe tmerrin që mbizotëron në këtë qytet.
 
“Mirmengjësi, jam John Cantlie dhe gjendem në ‘çatinë e botës’ në Mosul, në qytetin e dytë më të madh të Irakut që ndodhet nën kontrollin e plotë të Shtetit Islamik prej 5 muajsh. Pas pushtimit të gjatë Amerikan, tashmë myslimanët sunni mund të ecin të lirë nëpër rrugët e qytetit. Ky nuk është një qytet që vuan nën terror, siç mediat perëndimore duan t’a përshkruajnë. Është një qytet normal: ku ka shumë ndriçim dritash neoni.”
 
I titulluar “From inside Mosul”, ‘Nga brenda Mosulit’, reportazhi rrëfen jetën e gjallë brenda qytetit të dytë më të madh Irakian, plot me mallra dhe pa probleme me energjinë elektrike, krejt ndryshe nga imazhi i qytetit të varfër që vuan nën terrorin e kontrollin e ekstremistëve islamikë. Më pas gazetari viziton një spital ku kurohen fëmijët viktima të luftës, ku pasqyrohet kujdesi i veçantë ndaj të vegjëlve që vuajnë nga probleme të mëdha psikologjike.
 
Në fund gazetari britanik, shfaqet mbi një motorr të policisë së Mosulit, ndërsa shpjegon se rendi publik është i garantuar dhe se nuk ka patur kurrë më parë kaq pak krime në qytet që kur ai kontrollohet nga luftëtarët e ISIS. Videoja sjell në kujtesë një raportim të përngjashëm të publikuar në tetor, në të cilën Cantlie transmetonte live nga Kobani në Siri.
 
Mosuli është konsideruar si një nga fortesat e ISIS, të akuzuar se kanë plaçkitur dhe shkatërruar edhe kasafortat në bankën qëndrore, duke rritur kështu financimin dhe pasurimin e grupit ekstremistë. Komentet e para mbi këtë video e konsiderojnë herë si një shuplakë për mediat perëndimore, herë si sindroma e Stokholmit, me reporterin që duket sikur ka përqafuar kauzën e Shtetit Islamik.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)