BERAT - Vizita e Kryeministrit Edi Rama në qytetin e Beratit në kuadër të programit “Rilindja e Qyteteve”, ku inauguroi një sërë projektesh të investuara qeveria, nuk e kaloi pa humor dhe batuta, lidhur me çështjen e fondeve dhe investimeve.
 
Pasi iu dhurua një medalje në bronz, me shtëpi karakteristike të qytetit në shenjë mirënjohjeje, nga ana e kryebashkiakut Fadil Nasufi, Rama tha me humor se të tilla kryebashkiaku ia dhuronte Berishës në kohë fushate, me shpresën se do të merrte fonde. Por sipas Ramës, e vetmja gjë që i mbetej Nasufit, ishte shiriti i kryebashkiakut pasi fonde nga Berisha nuk erdhën kurrë.
 
“Kur vinte Saliu për fushatë Fadili ishte gjithmonë ai që i dilte dhe e priste. Vinte dhe shiritin dhe nuk e linte Saliun të kthehej pa i dhënë ndonjë nga këto, se gjithmonë shpresonte që duke i dhënë këto do ti vinin dhe investimet nga mbrapa, po sic e dini e vetmja gjë që i mbeti nga takimi me Saliun është ky shalli në qafë ndërkohë që pak po e sigurtë është që duke na dhënë ne nga këto hekurishtet e zbukuruara i hap vetes rrugë për të thënë tani që kemi nevojë dhe për ca investime të tjera.” tha me humor kryeministri.
 
Pasi ia kaloi medaljen zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, Rama nuk u ndal këtu me batutat për fondet në Berat. Shefi i qeverisë tha me humor se është në dijeni të bisedave pas shpine të zëvendësit të tij dhe kryebashkiakut Nasufi, dhe madje edhe pse bën sikur nuk i dëgjon, është shumë dakord me faktin e investimeve shtesë.
 
“Unë kisha kohë pa përmendur Saliun po e di që ju e doni shumë dhe ai ju do shumë prandaj e përmenda këtu. Kam shumë dëshirë që këtë kujtim, tani e kam seriozisht, tja kaloj zëvendës kryeministrit i cili në fakt është drejtuesi dhe koordinatori i gjithë programit të Rilindjes të Qyteteve dhe jo vetëm për këtë po edhe për faktin se të dy Fadili dhe Niko vijnë nga eksperienca e kryetarit të bashkive, ndërkohë që këta mendojnë se unë e kam harruar atë eksperiencë dhe kështu që mbrapa shpinës time bëjnë ato diskutimet për t’i shtuar fondet Beratit po unë bëj sikur s’kuptoj po jam shumë dakort në fakt.” u shpreh kryeministri Edi Rama

Redasia Online
(e.c/shqiptarja.com)